Rusia i ndërpret gazin Ukrainës

Pas dështimit të Kievit për të paguar borxhin gjigant, që i detyrohet Moskës, “Gazprom”-i rus deklaroi se për çdo furnizim të ardhshëm me gaz, Ukrainës do t’i duhet të paguajë paraprakisht. Gjiganti i gazit pretendon se është i detyruar të veprojë në këtë mënyrë, për shkak të mospagesave kronike të palës ukrainase. Ai kishte paralajmëruar se do t’ia ndërpriste furnizimin vendit fqinj, nëse nuk shlyente detyrimin prej 1,95 miliardë dollarësh deri në 10 të mëngjesit. Zëdhënësi i “Gazprom”-it, Sergei Kuprianov, deklaroi këtë fundjavë se asnjë marrëveshje nuk u arrit dhe se shanset për një takim tjetër ishin shumë të vogla. Nuk ishte kaq pesimist Komisioneri europian i Energjisë, Guenther Oettinger, i cili mori pjesë në bisedimet ruso-ukrainase. Zyrtari europian nuk e sheh të pamundur mundësinë e një ujdie.Ai tha se do të vazhdojë përpjekjet për gjetjen e kompromisit, pavarësisht vendimit të “Gazprom”-it për të mbyllur rubinetat e gazit. Ekspertët mendojnë se veprimi i kompanisë ruse mund të ketë pasojë për Bashkimin Europian. Në fillim të muajit, “Gazprom”-i i dha Ukrainës më shumë kohë në dispozicion, për të zgjidhur ngërçin e faturës së gazit, pasi mori një pagesë të pjesshme prej 786 milionë dollarësh. Kievi tha atëherë se refuzon të shlyejë të gjithë detyrimin e tij, në shenjë proteste ndaj rritjes së çmimit të gazit me 80% nga rusët. Çmimi i reduktuar për Ukrainën ishte pasojë e negociatave të presidentit Viktor Yanukovych me Moskën, Dhjetorin e kaluar. Këtij lëshimi, “Gazprom”-i i dha fund në muajin Prill. Përpara pezullimit të skontos, fatura e pagesave të gazit nga Kievi ishte 269 dollarë për 1000 metra kub; e tani, Moska e ka çuar në 485,50 dollarë, çka e bën çmimin më të lartë në Europë. Gati 15% e gazit të përdorur në kontinentin e vjetër vjen nga Rusia përmes Ukrainës, e për këtë arsye anëtarët e bllokut europian po e ndjekin me interes të madh situatën mes dy vendeve.

Share Button