Ruani të dhënat bankare, numri i vjedhjeve është rritur

Sipas Policisë së Shtetit, kohët e fundit është konstatuar një rritje e numrit të mashtrimeve të kryera nëpërmjet internetit.

“Informojmë qytetarët dhe subjektet private se nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit për Hetimin e Krimeve Kompjuterike, po merren të gjitha masat për parandalimin e rasteve të ngjashme por dhe evidentimin dhe goditjen e autorëve për rastet e ndodhura“, thotë policia në një njoftim të sajin.

Duke u nisur nga fakti se këto ngjarje kanë si qëllim vjedhjen e fondeve të llogarive bankare nëpërmjet mashtrimit policia i kërkon qytetarëve dhe subjekteve private, të bëjnë kujdes për sa i përket ekspozimit të të dhënave të tyre bankare në mjediset e jetës së përditshme, por edhe kur marrin kërkesa të ndryshme gjatë periudhës që ndodhen duke lundruar në internet.

“Në rast se merrni kërkesa për kryerjen e pagesave në llogari bankare të ndryshme nga ato që i kryeni zakonisht, duhet të verifikoni paraprakisht me mjete të tjera komunikimi (telefon, faks etj.) nëse llogaria e re i përket vërtetë partnerit tuaj tregtar”, thotë policia.

Gjithashtu autorietet bëjnë thirrje për kujdes edhe me dhënien e kodeve të hyrjes për llogaritë e tyre të rrjeteve sociale, postës elektronike si dhe çdo program tjetër i cili mundëson hyrjen nëpërmjet kodeve të sigurisë.

“Ju bëjmë me dije qytetarëve dhe subjekteve private se Policia e Shtetit është në dispozicion të tyre dhe për çdo paqartësi apo dyshim të drejtohen pranë strukturave të saj.

Duke shpresuar se do të gjejmë mbështetje të plotë nga ana e qytetarëve por edhe subjekteve private, sugjerojmë të mos neglizhohet asnjë rast i dyshuar apo evidentuar nga ana e tyre, duke u drejtuar në mënyrë të menjëhershme pranë strukturave tona”, e përfundon njoftimin e saj Policia e Shtetit./tvklan.al

Share Button