Rruga e Torovicës, specialistët: Të tjerë shkëmbinj mund të bien

Masivi shkëmbor, që një ditë më parë u mori jetën 3 personave në Torovicë të Lezhës, peshonte 30 tonë. Sipas specialistëve, të cilët bënë vëzhgimin e vendit të ngjarjes, në mesin e trajektores masivi shkëmbor është ndarë në dy pjesë.

Pjesa më e madhe ra mbi makinën, me të cilën udhëtonin 3 viktimat, e tjera me përmasa disa herë më të vogla, rreth 30 metra më tutje. Ekspertët ngrenë alarmin se situata është vërtet problematike dhe duhet ndërhyrë menjëherë.

“Duhet një krehje e përgjithshme e zonës, por nga evidentimi që pamë ne sot ka rreziqe të tjera. Nuk është vetëm ky masiv, por ky ka qenë vetëm sinjali. Ka rreziqe të tjera edhe nga maja e shkëmbit atje, edhe gjatë të gjithë rrugës së Torovicës. Aktualisht rrezikohet edhe një shtëpi, sepse ka dy masivë sipër shtëpisë. Reshjet gjithmonë e shtojnë rrezikun. Duhen marrë masa urgjente për evidentimin një për një të këtyre rreziqeve”, tha Vladimir Kola, inxhinier në Shërbimin Gjeologjik Shqiptar.

“Duhet dhe do të kërkojmë që të krihet zona, të monitorohet dhe të bëhet e mundur eliminimi i këtyre pasojave të mëdha në drejtim të jetëve njerëzore. Këtu është e rrezikuar e gjithë zona”, tha Ndrek Mhillaj, specialist i Emergjencave Civile, Prefektura Lezhë.

Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, ekspertët thonë se me rrezikshmëri të lartë është zona e Torovicës, por edhe zona e Kakarriqit. Pas matjeve dhe vëzhgimit të zonës do të dilet me një raport përfundimtar, i cili do t’i dorëzohet pushtetit vendor për ndërhyrje. Një ndërhyrje që mund të kryhet me copëzim të këtyre shkëmbinjve, ose me vendosjen e rrjetave për të shmangur të tjera ngjarje të rënda.

Vet banorët e Torovicës pranojnë se kjo nuk është hera e parë, që masive shkëmbinjsh shkëputen nga mali.

Share Button