Rritje e ngadaltë ekonomike në eurozonë

Rritja ekonomike në eurozonë humbi ritmin në tre muajt e parë të vitit 2014, tregojnë të dhënat zyrtare, duke mos pasur asnjë ndryshim nga çerekviti i mëparshëm prej 0.2 për qind. Kjo situatë paraqet një ritëm më të ulët nga sa prisnin shumë ekonomistë. Rritja në Gjermani bën ndryshimin, pasi ka kapur ritmin e mëparshëm pas një ngadalësimi të kohëve të fundit. Ekonomia gjermane është rritur këta tre muaj me 0.8 për qind. Por, Franca dhe Italia zhgënjejnë sërish. Ekonomia franceze nuk arriti të rritej, ndërsa ajo e Italisë u tkurr me 0.1 për qind, ndërkohë që vetëm vitin e kaluar doli nga recesioni. Duke komentuar të dhënat e regjistruara në Itali, ekspertët vënë në dukje se për fat të keq, bëhet fjalë për një situatë vërtet të dobët. Megjithatë, lajmi i mirë mbetet që eurozona vazhdon të rritet. Rimëkëmbja ekonomike ka vazhduar për një çerek tjetër viti radhazi, duke bërë që të rriten shpresat për daljen nga kriza.  Por, shifrat janë sërish të vogla dhe ekspertët argumentojnë se situata është akoma edhe më shumë pa balancë. Problemet e mëdha janë Franca dhe Italia. Eurozona ka nevojë që këto dy ekonomi gjigande, por të çala të shërohen. Gjermania, është një histori krejt tjetër me një performancë të fuqishme. Spanja duket se po rimëkëmbet, por 0.4 për qind rritje nuk është mjaftueshëm për krizën e saj të thellë. Panorama është e tillë që paraqet një eurozonë që i ka shpëtuar katastrofës emergjente, mirëpo së cilës i duhet të një kohë e gjatë që të rregullojë papunësinë e lartë në shumë vende.

Share Button