Rritet numri i viktima nga aksidenti hekurudhor në Egjipt

Si pasojë e një aksidenti hekurudhor mes dy trenave në Aleksandri të Egjiptit, numri i personave që kanë humbur jetën është rritur në 49, ndërsa 133 të tjerë janë plagosur, raporton Anadolu Agency (AA).

Në lajmin e televizionit shtetëror të Egjiptit konfirmohet se në aksidentin ku treni i linjës Kajro-Aleksandri është përplasur me trenin e linjës Aleksandri-Port Said kanë humbur jetën 49 persona.

Ndërkaq zv.ministri i Shëndetësisë, Mexhdi Hixhazi, në një deklaratë për agjencinë zyrtare të lajmeve MENA të Egjiptit, është shprehur se në aksidentin hekurudhor janë plagosur 133 persona.

Ndër të tjera Hixhazi ka shtuar se 13 nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Teksa ende nuk është dhënë informacion në lidhje me shkakun e aksidentit, shtypi lokal dhe dëshmitarët kanë bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur si pasojë e defektit të njërit prej trenave të përfshirë në aksident.

Share Button