Rritet numri i të vdekurve nga tërmeti në Meksikë

Meksika ende është duke vlerësuar dëmin pas tërmetit shkatërrues me fuqi prej 7.1 ballë sipas Rihterit, i cili javën e kaluar goditi pjesët qendrore dhe mori jetën e së paku 325 personave, raporton Anadolu Agency (AA).

Luis Felipe Puente, drejtor i Mbrojtjes civile të Meksikës, në rrjetet sociale konfirmoi se numri i të vdekurve është rritur në 325 dhe se në kryeqendër kanë humbur jetën 186 persona.

Zyrtarët qeveritarë edhe më tej po llogarisin humbjet ekonomike nga tërmeti i cili shkaktoi dëme të mëdha materiale, megjithatë, për hotelierët situata që tani është përafërsisht e qartë.

Hotelieri Antonio Luna qëndronte ulur para restorantit të mbyllur dhe theksoi se gjithçka është e mbyllur për shkak të dëmeve të mëdha mbi godinën ku gjendet restoranti. Ai vetëm tentonte që të shpëtojë mobilet dhe pajisjet që gjendeshin në restorantin e tij.

Një tërmet i ri i fuqishëm goditi të shtunën Meksiko Siti-n, duke lëkundur shumë ndërtesa, për shkak të cilës shumë njerëz dolën duke vrapuar në rrugë.

Tërmeti, sipas Entit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ishte me fuqi prej 6.2 ballë sipas Rihterit me epiqendër në shtetin jugor meksikan Oaxaca. Nuk kishte viktima në njerëz dhe as dëme materiale.

Si pasojë e tërmetit të parë me fuqi prej 8.1 ballë i cili më 8 shtator goditi Meksikën humbën jetën 96 persona.

Share Button