Rrëfim/ Muhammedi nga Arakani i brengosur për fatin e familjes së tij

Muhammed Tayoub nga Arakani, i cili së bashku me gruan dhe fëmijët kishte ikur nga Mianmari për të shkuar fillimisht në Malajzi e më pas përmes një anijeje në Australi, është i shqetësuar për fatin e familjes që ka lënë prapa.
Tayoub, i cili jeton në qytetin e Melburnit, për Anadolu Agency (AA) thotë se masakrat në Arakan duhet të ndalen sa më parë.

Ai rrëfën se pasi qeveria i kishte marrë me forcë tokat në vitin 2011 teksa ai po merrej me prodhimin e orizit, ai kishte marrë gruan dhe dy fëmijët e tij për të ikur fillimisht në Malajzi, ndërsa më pas, në vitin 2012, në Australi përmes një anijeje.
Tayoub thotë se mendja gjithnjë i rri te anëtarët e tjerë të familjes së tij që kanë ngelur në Arakan.

“Nëna ime, motra, të gjithë janë atje. Shtëpitë e tyre digjen, ata qëllohen dhe vriten. Qeveria ua merr tokat e orizit, nuk mund të ecin jashtë, nuk mund të shkojnë për peshkim. Qëndrojnë në shtëpi 24 orë, nuk mund të dalin jashtë. Nuk mund t’i hapin dyert e shtëpisë, sepse kur dalin jashtë, ose u digjen shtëpitë, ose vriten”, thekson ai.

Tayoub po ashtu rrëfën se dy dajallarë të tij janë vrarë nga ana e ushtrisë së Mianmarit.
“Nuk e di pse i kanë vrarë. Problemi buron nga qeveria. Mes popullatës së rajonit nuk ka problem. Ndonjëherë kishte probleme, por jo gjithmonë. Popullata ndonjëherë na ndihmon, ndërsa qeveria dhe njësitë ushtarake nuk na ndihmojnë. Po të na shohin, gjithmonë djegin ose vrasin”, thotë ai.

Siç thotë Tayoub, ngjarjet në Arakan në fakt kanë filluar në vitet e 70-ta. Ai shprehet se gjatë kësaj periudhe, qeveria ka filluar të zbatojë qëllimin për largimin e plotë të muslimanëve nga Arakani.

“Qeveria ka marrë të gjitha tokat e orizit, ndërsa peshkoret ua kanë dhënë budistëve”, tregon Tayoub, duke shtuar se muslimanëve nuk u kanë lënë asgjë.
Ai thotë se është i kënaqur nga oferta e Turqisë për Bangladeshin që të hapë kufinjtë, ndërsa shpenzimet t’i paguajë Turqia.
“Bangladeshi nuk po i hap kufinjtë. Shumë njerëz po bëhen pre e gjenocidit dhe po vriten”, tha Tayoub për AA.

Share Button