Rrëfehet gruaja e pedagogut të arrestuar në Malajzi: ‘Bashkshorti nuk ka lidhje me terrorizmin’

Klodjan Zaimaj, i cili kishte mbaruar doktoraturën në Universitetin e Kuala Lumpurit në Malajzi, është ndaluar si i dyshuar për terrorizëm. Por familjarë të djalit nga Elbasani, Klodjan Zaimaj, kanë reaguar duke pohuar se ai nuk ka lidhje aspak me terrorizmin, por përkundrazi është person që dënon aktet e dhunës dhe vrasjet nga grupet radikale.

“Shqiptarja.com”, bashkëbisedoi me Marinela Zaimajn, bashkëshorten e të arrestuarit në Malajzi, dr. Klodjan Zaimajt, e cila shpjegoi se burri i saj, me të cilin ka katër fëmijë, ka kryer studimet universitare “Bachelor” dhe “Masterin” në Jordani për Jurispudencë Islame dhe më pas u angazhua dhe u emërua në pozicionin imam xhamije po në zonën ku përfundoi studimet në dy xhami.

Marinela Zaimaj tregon se Klodjani pasi ka përfunduar studimet në Jordani, është transferuar në Malajzi, shtet në të cilin sërisht ka vazhduar studimet islame.

Nëna e katër fëmijëve thotë se i shoqi nuk ka absolutisht lidhje me muslimanët e Kosovës po ashtu edhe të Maqedonisë, por është person publik dhe i njohur nga “Dijetarët Bashkëkohorë” në të gjithë vendet islame, kontribues në mosndarjen në grupe midis muslimanëve por në një tolerancë dhe bashkëpunim midis tyre në Elbasan dhe Cërrik. “…Me deshirën e tij la postin e imamit në Jordani, ku dhe u zhvendos në Malajzi në kryeqytetin malajzian Kuala Lampur ku kreu doktoraturën. Doktoraturën e perfundoi me sukses në vitin 2017 me rezultatet më të larta ku dhe spikati për cilësitë e tij të larta në shembull edukues, tolerancës dhe të vlerave të familjes në islam…”­ tregon Marinela Zaimaj.

Për shkak të këtyre cilësive, autoritete e universitetit në Malajzi mësohet se i kanë propozuar postin e docentit universitar pranë vetë universitetit. Marinela tregon se gjatë periudhës së doktoraturës për të përballuar nevojat ekonomike familjare, gjithashtu ka ushtruar në disa akademi vendase rolin e profesorit të gjuhës arabe dhe të mësimit të Kuranit. Gjithashtu sipas bashkëshortes, Klodjan Zaimaj ka drejtuar një akademi dhe aktualisht është drejtues i një akademie dhe profesor në universitetin shtetëror të Malajzisë.

Në sajë të pozicionit të lartë si i shkolluar dhe në sajë të aftesive si intelektual, Zaimaj gëzonte reputacionin e një shoqërie intelektuale vendase dhe po ashtu të akademikëve të huaj. “…Niveli i tij i inteligjencës gjithashtu i mundësoi të bëhet pjesë e një niveli të lartë dhe me integritet qytetar të Malajzisë me titullin “Dato” (titull nderi për kontributin e dhënë ndaj atdheut).

Veç të tjerash mësohet se Klodjan Zaimaj bën pjesë në deklaratën e “Dijetarëve të Jordanisë” e mbajtur kundra propagandës së ISIS-­it. Posedon dëshmi, çertifikatë si dijetar i cili ka kompetenca të këshillojë, të jetë imam, docent, profesor…” ­thotë bashkëshortja.

Kjo gradë, sipas saj ju dha nga dijetarët me origjinë shqiptare të njohur në mbarë botën islame, Sheik Shuajbi dhe Sheik Abdul Kader Arnauti.

“…Burri është njeri inetelktual i cili njeh dhe zotëron gjuhët anglisht, italisht, arabisht, urdisht. Karriera e tij universitare mbart: “Hafiz i Kuranit”, “bachelor dhe master” në Jordani dhe doktoraturë në Malajzi; në kodin familjar mban titullin Sheik dhe është në rangun e dijetarëve” ­thotë bashkëshortja e Klodjanit, Marinela Zaimaj. Ajo tregon për “Shqiptarja.com” se kanë marrë një avokat në Malajzi për të mbrojtur pozitën juridike të bashkëshortit, për të cilin shprehet se është i pafajshëm.

Share Button