Rinisin bisedimet për programin bërthamor të Iranit

Ekspertët bërthamorë nga Irani dhe gjashtë fuqitë botërore, do të fillojnë sot në New York, bisedimet një javore që kanë për qëllim arritjen e një marrëveshje afatgjate, e cila i kufizon Iranit programin bërthamor dhe lehtëson shqetësimet e Perëndimit se Teherani po përpiqet të prodhojë armë bërthamore.

Negociatorët nga Irani, Britania, Kina, Franca, Gjermania, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, kanë afat deri më 20 korrik për të arritur një marrëveshje.

Ky afat është caktuar bazuar në një marrëveshje të përkohshme të nëntorit të kaluar, rreth programit bërthamor të Iranit.

Shpresat për një marrëveshje janë shtuar që një ditë më parë, kur Irani ka bërë me dije se do të lejojë një vizitë gjatë kësaj jave të inspektorëve bërthamorë ndërkombëtarë.

Behrouz Kamalvandi, zëdhënës për programin bërthamorë të Iranit , ka njoftuar se inspektorët e Agjencisë Nukleare Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, më 5 dhe 6 maj, do të vizitojnë një minierë uraniumi dhe një që përpunon uranium në qytetet Ardakan dhe Yazd.

 

 

Share Button