Rikthehen reshjet e borës në Dibër, Krujë, Librazhd e Korçë

Bora ka zbardhur zonat malore në Kukës, Dibër, Krujë, Librazhd dhe Korçë. Ulja e temperaturave dhe reshjet e borës kanë krijuar akull në aksin Kukës-Shishtavec, ndërkohë që janë konstatuar edhe rrëshqitje gurësh. Probleme në qarkullim edhe në disa zona të tjera.

Në qarkun e Kukësit, reshjet e një ditë më parë të borës në zonat e thella kanë krijuar vështirësi në qarkullim.
Ulja e temperaturave ka krijuar akull në aksin Kukës-Shishtavec, ndërkohë që janë konstatuar edhe rrëshqitje gurësh.

Në zonën e Bushtricës në fshatin Lusen si pasojë e rënieve të gurëve u bllokua për disa orë kalimi ku është dashur ndërhyrja e firmës për largimin e gurëve dhe dherave që të normalizohej qarkullimi.

Reshje bore ka pasur edhe në Dardhë e Voskopojë ku trashësia ka arritur deri në 5 cm, ndërkohë që temperaturat kanë arritur deri në -2 gradë celcius.
Reshje bora pati edhe në Theth, ku disa zona janë bllokuar nga bora e dendur.

Share Button