Restaurohet një nga katër Namazgjahet e mbetura në Ballkan

Projekti i restaurimit të Namazgjahut të Opojës që gjendet në fshatin Buzez të Komunë së Dragashit është hartuar nga CHwB zyra në Kosovë dhe u miratua nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Tetor të vitit 2014. Punimet konservuese kanë filluar në fund të vitit 2014, për tu përmbyllur në muajin tetor të vitit 2015.

Namazgjahet, edhe pse të mbijetuar në numër të vogël paraqesin një vlerë të madhe për kulturën materiale dhe trashëgiminë kulturore e historike të një vendi. Sipas të dhënave aktuale në tërë Ballkanin kanë mbijetuar vetëm katër sosh dhe atë dy në Kosovë (Prizren dhe Dragash, fshati Buzez), një në Bosnje e Hercegovinë dhe një në Bullgari.

Emri Namazgjah përbëhet prej dy fjalëve persiane, prej fjalës namaz që nënkupton falje, dhe fjalës gjah me kuptim vend, mejdan, hapësirë e hapur, që do të thotë objekt kulti për faljen e namazit në hapësirë të hapur – natyrë.

Këto struktura, gjatë periudhës otomane tradicionalisht ndërtoheshin në periferitë e qyteteve ku nuk gjindeshin xhamitë apo mesxhided. Këto struktura, ndërtoheshin buzë rrugës në një platformë që ngritej me disa shkallë dhe përdoreshin nga komuniteti por edhe trupat ushtarake otomane.

Në namazgjah gjendet një gur i madh që simbolizon drejtimin e Qabes dhe në raste të caktuara edhe struktura e minberit.

Share Button