Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti zgjidhet president i BUA-së

Më datë 8 dhe 9 tetor, nën kujdesin e Rektorit të Universitetit Trakya, Prof. Dr. Yener Yörück, në Edrene të Turqisë, u mbajt Kongresi i dytë i Asociacionit të Universiteteve të Ballkanit (BUA).

Ky Asociacion është themeluar më 11 shtator 2014, si rezultat i bisedimeve të frytshme paraprake midis USHT-së, Universitetit Trakya dhe Universitetit të Sofjes, me qëllim të krijimit të një platforme të përbashkët universitare për mbarë rajonin e Ballkanit, duke hapur shtigje për studentët , profesorët dhe mbarë komunitetin akademik.

Aktin e themelimit të Asociacionit në vitin 2014 e kanë nënshkruar gjithsej 36 universitete, ndër ta edhe USHT-ja, kurse në Kongresin e dytë, këtë vit, janë anëtarësuar edhe 6 universitete dhe Asociacioni aktualisht numëron 42 universitete anëtare nga mbarë rajoni i Ballkanit.

Në rend dite të Kongresit, përveç idejimit të projekteve konkrete në të mirë të komunitetit akademik në rajonin e Ballkanit, ishte edhe marrja e presidencës dhe zgjedhja e Presidentit të ardhshëm të Asociacionit.

Rektorët e pranishëm të të gjitha universiteteve njëzëri nominuan USHT-në për presidencën e radhës, duke pasur parasysh suksesin e viteve të fundit në rrafshin kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar.

Ky nominim erdhi duke e cilësuar atë si një universitet të organizuar dhe serioz në organizimin e shumë konferencave dhe aktiviteteve tjera të këtij lloji, në veçanti për suksesin e treguar edhe me organizimin e konferencës rajonale të Observaroriumit të Magna Charte-s, në qershor të këtij viti.
Pavarësisht nominimit të Universitetit të Selanikut dhe Athinës, USHT-ja mori shumicën e votave nga rektorët e pranishëm për presidencën e vitit 2017 dhe me këtë rast, Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti u zgjodh njëzëri President i BUA-së për vitin 2017.

Me këtë rast, USHT-ja shpreh falënderimet më të sinqerta për Universitetin Trakya të Edrenesë, për të gjithë rektorët e universiteteve te tjera anëtare për mbështetjen e dhënë dhe për gjithë punonjësit e USHT-së, të cilët kanë kontribuuar që USHT-ja të radhitet në gjirin e universiteteve prestigjioze në rajonin e Ballkanit.

 

 

Share Button