Regjimi i Asadit shkel armëpushimin në Idlib

Të paktën katër civilë kanë humbur jetën dhe shtatë të tjerë janë plagosur si pasojë e katër sulmeve ajrore të forcave të regjimit të Bashar Asadit në provincën e Idlibit, e cila është nja nga katër zonat jokonfliktuale të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Gazetari i AA-së në Idlib ka njoftuar se forcat e regjimit kanë ndërmarrë sulme të njëpasnjëshme ajrore në fshatrat Sukejk, Habit dhe Hamidije dhe rajonin Ter Aj në jug të Idlibit.

Të paktën katër civilë kanë humbur jetën në fshatin Habit, kurse shtatë civilë të tjerë janë plagosur.

Ndërkohë, janë duke vazhduar punimet për evidentimin e të vdekurve dhe të plagosurve edhe në sulmet e tjera.

Idlibi, i cili në mars të vitit 2015 hyri nën kontrollin e opozitarëve, është bërë adresa e sulmeve intensive të regjimit gjatë luftës civile.

Procesi për paqen në Siri i filluar në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, nën kryesimin e Turqisë dhe Rusisë, arriti që për dy muaj e gjysmë të ndalojë sulmet ajrore në Idlib.

Qyteti me 2.5 milionë banorë kohë pas kohe bëhet shënjestër edhe e sulmeve artilerike të regjimit.

Të premten e kaluar, shtetet garantuese Turqia, Rusia dhe Irani arritën marrëveshje për kufijtë e zonës jokonfliktuale në Idlib. Shtetet në fjalë po ashtu ranë dakord për të dërguar forca monitoruese ndërmjet opozitarëve në qytet dhe forcave të regjimit në lindje.

Share Button