“Refugjati sirian pas disa viteve bashkohet me familjen e tij”

Fate, histori të jetës dhe kujtime jo të këndshme mban qendra tranzitore “Vinojug” në Gjevgjeli, e cila tashmë mbi dy vite është vendstrehim për refugjatët të cilët më shpesh vijnë nga Lindja e Mesme. Në këtë vendstrehim dikur në ditë kalonin mijëra refugjatë, ndërsa sot në të gjenden dhjetëra persona.

Nganjëherë në këtë hapësirë të pasigurtë takonim edhe ndonjë histori të lumtur. Siriani Nuri Shtaat, refugjat në qendrën tranzitore “Vinojug”, tashmë dy vite e dy muaj i kalon ditët duke pritur fatin e tij, vizën gjermane. Historia e tij fillon aty ku përfundoјnë vuajtjet e familjes së tij pesë anëtarëshe në Siri.
Ai mbetet në shtëpi, në vendin e tij të lindjes, sepse nuk kishte para të mjaftueshme për t’u larguar. Fermën dhe fushat që kishte në pronësi të tij i kishte shitur, por me ato para ishin larguar vetëm të afërmit e tij. Ai qëndroi me shpresën se situata në Siri një ditë do të ndryshojë në të mirë, por çdo muaj i ri i solli vetëm të këqija, kështu që u nis si refugjat në rrugën për në Gjermani që t’i bashkohet familjes së tij.

Udhëtimi i shpresës e solli në Maqedoni, ndërsa familja e tij shkoi në Gjermani

Edhe pse Nuri nuk shpjegon se si ka mbërritur deri në Athinë, edhe këtu në Ballkan nuk e kanë pritur rrethana të lumtura. Nga Athina në Idomeni udhëtoi me autobus, por trazirat nga viti i kaluar që ishin aktuale në Idomeni të Greqisë dhe padurimin e refugjatëve e ka përjetuar edhe vetë ai, që më në fund të marrë dokumentet për hyrje në Maqedoni.
Udhëtimin nga vendlindja deri në qendrën tranzitore në veri të kufirit të Maqedonisë, në Tabanoc, ai gjithmonë do ta përkujtojë si një përjetim të keq. Me shpresën se përfundimisht do ta kalojë kufirin e Maqedonisë dhe do të vazhdojë për në veri, ai njoftohet se ‘Rruga Ballkanike’ për refugjatët është mbyllur. Nuri, pasi që ka marrë parasysh se kushtet për qëndrim janë më të mira në qendrën tranzitore “Vinojug” në Gjevgjeli, është kthyer prapa duke filluar betejën ligjore për marrjen e vizës për në Gjermani.
“Kurrë nuk kam humbur shpresën se do të arrijë në Gjermani. Kohën këtu e kam përdorur për të mësuar gjuhën gjermane. Kam përdorur çdo moment, kam mësuar edhe tetë orë në ditë që kur të arrijë në Gjermani të di gjuhën”, thotë Nuri Shtaat për Anadolu Agency (AA).
Në përpjekje për të gjetur zgjidhje, më së shumti ka ndihmuar Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë, i cili duke shqyrtuar problemin e tij jep shpresë se ai mund të zgjidhet.

“Kur i dorëzova dokumentet, i dorëzova pa pasaportë. Më thanë se patjetër nevojitet pasaporta, por nga shërbimet e Kryqit të Kuq kisha shpresë. Ata më thanë se nga Ministria e Punëve të Brendshme mund të lëshohet një vërtetim, një dokument ligjor i ngjajshëm si pasaportë. Ndërsa, më vonë, me ndihmën e disa organizatave mora përgjigje se në bazë të atij dokumenti mund të marrë vizë gjermane”, shton Nuri.

Zgjidhja ligjore e rastit të refugjatit Nuri

Në zgjidhjen e rastit të refugjatit sirian, i cili për një kohë të gjatë mbetet i bllokuar në territorin e Maqedonisë kyçet Anamarija Shram, vullnetare për një kohë të gjatë në Departmentin për vendosjen e lidhjeve familjare pranë Kryqit të Kuq të Maqedonisë. Ajo që nga fillimi ka punuar në zgjidhjen e pengesave ligjore në rastin e refugjatit sirian Nuri, me synim që të arrihet në dokumentet e nevojshme për marrjen e vizës gjermane.
Anamarija për AA thotë se rruga për marrjen e vizës nuk ishte aspak e lehtë, pasi që siç thekson ajo, Ambasada e Gjermanisë në vend vazhdimisht ka përsëritur qëndrimin se është e nevojshme të ketë pasaportë që të jepet vizë. Me ndihmë dhe bashkëpunim të organizatave joqeveritare të pranishme në qendrën tranzitore dhe Departamentit për të huajt pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë arritur që t’i kompletojnë dokumentet e nevojshme që Nuri të marrë vizën gjermane.

Vullnetarja e Kryqit të Kuq shpjegon se në konsultim dhe kontakt me avokatin nga familja e tij në Gjermani është arritur të kompletohet një pjesë e dokumenteve të nevojshme dhe t’i sigurohet një dokument i përgatitur për lëvizje të përkohshme, i ngjashëm me pasaportën, i cili është marrë nga Departmenti për të huajtë pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Presim që gjatë javës së ardhshme z. Nuri të bashkohet me famijen e tij në Gjermani. Vetëm me pasaportë mund të aplikohet për vizë, nuk ekziston dokument tjetër me të cilin mund të aplikohet për vizë. Mirëpo, me ndihmën e avokatëve që ligjërisht i përfaqësojnë refugjatët në kamp, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, si dhe të policisë kufitare arritëm t’i mbledhim dokumentet dhe të marrim pasaportën e përkohshme që mundëson marrjen e vizës”, thotë Anamarija.
Ajo thotë se nga Ambasada gjermane kanë marrë përgjigje pozitive, procedura ka përfunduar dhe se vetëm priten disa formalitete që duhet të përfundojnë.
Muaji i shenjtë i Ramazanit më solli lumturi dhe bereqet

Javën e ardhshme, ndoshta, Nuri do të takohet me familjen e tij dhe, siç shpreson ai, festën e Fitër Bajramit do ta presë me të afërmit e tij. Ai thotë se asnjëherë nuk e ka humbur shpresën dhe se Muaji i shenjtë i Ramazanit i ka sjellë bereqet.
Refugjati sirian thekson se thelbi i jetës është barazia e njerëzve dhe se këtë e ka vënë re edhe në Gjevgjeli me sjelljen e mirë të njerëzve ndaj tij.

Share Button