Refugjatët, udhëheqësit e BE diskutojnë në fundjavë masat e reja

Udhëheqësit e Bashkimit Europian do të takohen këtë fundjavë në Bruksel për t’i dhënë drejtim fluksit të refugjatëve, të cilët përdorin Ballkanin Perëndimor si rrugën tranzit për të hyrë në vendet e BE-së.

Takimi do të zhvillohet në kuadër të zhvillimeve të fundit në rajon, çka ka detyruar mijëra emigrantë të jetojnë në kushte ekstremisht të varfëra pa marrë një përgjigje se ç’do të ndodhë me ta.

Kriza ka shkaktuar edhe një përkeqësim dramatik të marrëdhënieve midis qeverive në rajon. Sllovenia së fundmi po përdor ushtrinë për të shpërndarë refugjatët, duke shkaktuar shqetësim në mesin e diplomatëve në Bruksel.

Ndaj në një përpjekje për të lehtësuar presionin, kancelarja gjermane Angela Merkel do të takohet me udhëheqësit nga nëntë vende të tjera dhe zyrtarë të emigracionit të BE-së.

Berlini po shqyrton idenë për të përdorur avionë ushtarakë dhe tragete për të transportuar në vendet e origjinës refugjatët, të cilëve iu refuzua kërkesa për azil.

Kjo masë mund të ndihmojë në përmbushjen e zotimeve të bëra nga Merkel për të përshpejtuar largimin e azilkërkuesve që kanë marrë përgjigje negative, një proces ky që merr më shumë kohë në Gjermani sesa në disa shtete të tjera të BE-së.

 

Share Button