Refugjatët në Bangladesh: Kushte për jetesë nuk ka, as shpresë për kthimin në atdhe

Pas valës së re të dhunës nga ushtria e Mianmarit mbi muslimanët Rohingya, që filloi më 25 gusht, dhjetëra mijëra refugjatë muslimanë braktisën atdheun dhe strehë gjetën në Bangladesh. Ndonëse arritën të shpëtojnë jetën e tyre, refugjatët në Bangladesh nuk kanë kurrfarë kushtesh për jetë, ndërsa kanë pak shpresa se do të kthehen në atdhe, raporton Anadolu Agency (AA).

Refugjatët muslimanë nga Mianmari me ditë kanë ecur, ndërsa pastaj në shpinë kanë mbajtur gjithçka që ka mbetur nga fshatrat që tani janë në hi.
Në vendin ku tani gjenden kampet e refugjatëve, kushte për jetën nuk ka. Refugjatët shpresojnë se dikush do t’ju afrohet për ndihmë, ndërsa shpresojnë se do të kthehen në Mianmar, siç thonë, tashmë të humbur. Fëmijët të cilët po ashtu mbajnë në shpinë ngarkesa, ndoshta e kanë më lehtë, meqë nuk janë tërësisht të vetëdijshëm se çfarë në të vërtet po ndodh.

Lala Hatun (60), e cila para dhjetë ditëve u arratis nga Mianmari në territorin e Bangladeshit, tha se asaj i është vrarë bashkëshorti, si dhe bashkëshorti i vajzës së saj.
“Kemi ikur këtu, por këtu nuk kemi asgjë. Ende jemi në rrugë. Ma kanë vrarë bashkëshortin tim si dhe të vajzës. Të dytë i ka vrarë ushtria e Mianmarit. Këtu nuk kemi ushqim, nuk kemi kurrfarë produktesh. Nuk kemi me çfarë të mbulohemi natën. Në atdhe momentalisht ka dhunë, nuk e di nëse ndonjëherë do të kthehemi, nëse ndonjëherë vendoset siguri”, tha Hatun.

Abdullah Sukur (35) para disa ditësh arriti të kalojë lumin mes Bangladeshit dhe Mianmarit, dhe të arrijë në kampin e refugjatëve. “Ushtria e Mianmarit ka djegur fshatin tonë. Hapën zjarr drejt nesh, ishte e tmerrshme. Atë që na kanë bërë neve është barbare. Arritëm të kalojmë lumin, jemi nëntë anëtarë të familjes”, tha Sukur.
Edhe një refugjat 40 vjeçar, Reshid Ahmed, tha se kanë qenë të ekspozuar ndaj dhunës së vazhdueshme të ushtrisë së Mianmarit, si dhe ushtarët kanë përdhunuar gratë e tyre.
“Ata okupuan fshatin tonë, përdhunuan gratë tona ndërsa pastaj i vranë. I vrisnin të gjithë ata që tentonin të iknin. Unë arrita të ik dhe kam ecur plot tre ditë. Nuk besoj se do të kthehem atje ndonjëherë”, theksoi Ahmed.

Share Button