Raportuesja e OKB-së për Mijanmarin: “Jam kërcënuar me jetë”

Raportuesja Speciale e Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut, Yanghee Lee, e cila njihet për hapjen e vazhdueshme të çështjes së shkeljes së të drejtave të njeriut dhe vrasjet kundrejt muslimanëve të Arakanit (Rohingya) në Mjanmar, thotë se është kërcënuar me jetë.

Në një deklaratë për Anadolu Agency (AA), Lee thekson se persekutimi ndaj muslimanëve të Arakanit buron si nga shkaqe etnike, ashtu edhe nga shkaqe fetare. “Ata nuk i pranojnë muslimanët e Arakanit si pakicë etnike. Po ashtu, sjellje të njëjtë kanë edhe në aspektin fetar”, vlerëson Lee.

Lee rikujton se kanë bërë thirrje për nisjen e një hetimi ndërkombëtar për krimet ndaj muslimanëve dhe shkaqet e tyre, duke e theksuar nevojën për zbardhjen e ndodhive në Mijanmar.

Lee, e cila OKB-së i ka prezantuar raporte dhe ka sjellë në axhendën botërore ngjarjet e “tmerrshme” në Arakan, si masakra ndaj muslimanëve të Arakanit, hapja zjarr nga ushtria ndaj civilëve pa dallim, lidhja e njerëzve në shtëpi dhe djegia e tyre, hedhja në zjarr e fëmijëve të vegjël, përdhunimi kolektiv dhe sulmet seksuale, thotë se qeveria e Mijanmarit i ka siguruar truproje private.

“Kërcënimet me jetë më stresojnë shumë”

Lee thekson se nuk ka marrë ndonjë kërcënim të drejtpërdrejt nga qeveria. “Qeveria e Mijanmarit më siguron truproje private. Edhe krahas kësaj, nuk më lejohet të shkoj në vende të caktuara të shtetit. Mund të them se kam marrë shumë kërcënime me jetë. Këto kërcënime me jetë ndonjëherë më stresojnë shumë”, vazhdon Lee.

Duke folur edhe për kushtet e jetës së muslimanëve që gjenden në Arakan dhe Bangladesh, Lee vlerëson se “Jetojnë në aso kushte dhe vende që asnjë njeri nuk do t’i dëshironte. Kjo duhet të ndryshojë”.

Në seancën e 34-t të Komisionit të të Drejtave të Njeriut që vazhdon në OKB, Lee prezantaoi raportin mbi dhunën me të cilën janë rrezikuar muslimanët e Arakanit, në të cilin kishte theksuar se qeveria e Mijanmarit dëshiron ta dëbojë nga vendi të gjithë popullatën Rohingya.

Ndërkaq, në deklaratën e saj muajin e kaluar pas vizitës katërditore në kryeqytetin e Bangladeshit Dakka dhe në kampin e refugjatëve Leda në qytezën Cox’s Bazar, raportuesja Lee ishte shprehur se “Dhuna që kanë dëshmuar dhe përjetuar këto familje është më e madhe sesa që kemi supozuar më parë”.

Lee vazhdimisht e ka cilësuar si “krim ndaj njerëzimit” atë që policia dhe ushtria ka ushtruar ndaj muslimanëve të Arakanit. Ajo kishte bërë thirrje për “nisjen e një hetimi ndëkrombëtar të shpejtë, të detajuar, të pavarur dhe të paanshëm” për vrasjet e kryera dhe shkeljet e të drejtave të njeriut.

Share Button