Ramush Haradinaj zgjidhet kryeministër i Kosovës

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, i mandatuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj dhe kabineti qeveritar i propozuar nga ai, fitoi besimin e kuvendit me 61 vota pro dhe 1 abstenim, nga 112 deputet të pranishëm në seancë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i zgjedhur Ramush Haradinaj, prezantoi kabinetin qeveritar që u votua në Kuvendin e Kosovës, i përbërë nga pesë zëvendëskryeministrat të cilët janë: Behgjet Pacolli (AKR), Enver Hoxhaj (PDK), Fatmir Limaj (Nisma për Kosovën), Dalibor Jevtiq (Lista Serbe) dhe Dardan Gashi (PDK). Ndërsa Bedri Hamza u zgjodh ministër i Financave, Uran Ismajli, ministër i Shëndetësisë, Besim Beqaj, ministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Dhurata Hoxha u zgjodh ministre e Integrimeve Evropiane, Abelard Tahiri, ministër i Drejtësisë, Kujtim Gashi, ministër i Kulturës. Flamur Sefaj, ministër i Punëve të Brendshme, Rrustem Berisha, ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Pal Lekaj, ministër i Infrastrukturës, Skender Reçica, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Bajram Hasani, ministër i Tregtisë, Shyqeri Bytyqi, ministër i Arsimit, Dalibor Jevtiq, ministër për Komunitete dhe Kthim, Ivan Todosijeviq, ministër i Pushtetit Lokal, Dardan Gashi, ministër i Diasporës, Rasim Demiri, ministër i Zhvillimit Rural, Mahir Yağcılar, ministër i Administratës Publike dhe Nenad Rikalo, ministër i Bujqësisë.

Në pjesën e parë të seancës, i mandatuari për kryeministër nga koalicioni PAN Ramush Haradinajt shpalosi parimet programore të qeverisë 2017-2021, duke theksuar se Qeveria e drejtuar nga ai do të fokusohet në zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale, shëndetësinë, integrimin në Bashkimin Evropian dhe vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Haradinaj theksoi se Kosova rrezikohet nga rreziqet e vjetra dhe të reja si terrorizmi botëror dhe se Kosova në planin e sigurisë do të ndihet e sigurtë, sipas tij, vetëm si anëtare e NATO-s. “Do ta aftësojmë Kosovën për anëtarësim në NATO, duke respektuar kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi dhe në partneritet me aleatët. Perspektiva ndërkombëtare e Kosovës është e vështirësuar. Anëtarësimi i Kosovës nëpër institucionet ndërkombëtare është detyrë e jonë, në NATO, OKB dhe në BE”, tha Haradinaj.

Ai duke theksuar se për Republikën e Kosovës është shumë i rëndësishëm konsolidimi i rendit dhe ligjit, tha se forcimi i miqësisë me SHBA-të dhe BE-në do të jetë çështje primare, ku sipas tij, do të vazhdojë edhe dialogu me fqinjët, përfshirë edhe Serbinë.

“Dialogun me Serbinë e kemi të pa alternativë, edhe pse kemi një histori tragjike. Nuk mund ta ndryshojmë faktin se jemi fqinjë. Kosova ndjen nevojën për dialog për popull e jo vetëm për elitën politike. Do të hapim një dialog të brendshëm për ta kuptuar ndjenjën e qytetarëve të popullit në tërësi për këtë dialog”, tha Haradinaj.

Kujtojmë se më 11 qershor vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme. Pas disa javësh, më 8 korrik Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme, sipas së cilës koalicioni PAN fitoi 33,74 për qind të votave (39 deputetë), Lëvizja Vetëvendosje 27,49 për qind të votave (32 deputetë), koalicioni LDK-AKR-Alternativa 25,53 për qind të votave (29 deputetë). Ndërkaq, 20 deputetë janë nga partitë minoritete.

Share Button