Ramazani, shtatzënia dhe gjidhënia

Kur jeni shtatzënë është shumë me rëndësi që të kujdeseni për veten tuaj. Por, nëse keni bërë plan që të agjëroni muajin e shenjtë të Ramazanit, mund të keni shumë pyetje në kokën tuaj se a mund të ndikojë agjërimi tek ju dhe tek bebja juaj.

Ja këshillat nga doktori gjinekolog – obstetër, Ass. dr. Memli Morina:

Sapo keni mbetur shtatzënë. A duhet të agjëroni?

Feja Islame thotë se ju duhet të agjëroni nëse ndjeheni e fortë dhe shëndetshme për të bërë një gjë të tillë. Pasi që jeni shtatzënë, ju jeni e liruar nga detyrimi që të agjëroni. Mos e injoroni këtë lejim nëse e shihni se agjërimi mund t’ju dëmtojë juve ose beben tuaj. Gjendjet në të cilat rekomandohet mosagjërimi janë:

– Vjellja
– Shtypja e lartë e gjakut
– Nëse keni binjakë

Në fillim të shtatzënisë mund të vuani nga:

– Plogështia
– Kapsllëku
– Kokëdhimbja
– Marramendja

Këto mund të theksohen akoma më shumë nëse nuk hani ose pini për periudha të gjata kohore.

Ndryshimi i rutinës së përditshme, mungesa e ushqimit dhe ujit si dhe ngrënia e pirja në kohë të ndryshme nga zakonisht mund të shkaktojë tek ju stres. Në një studim u gjet se gratë shtatzëna të cilat agjërojnë kanë vlerën e kortizolit (hormon i stresit) më të larta se gratë të cilat nuk agjëronin.

Pa marrë parasysh se a agjëroni apo jo, ju mund të keni marramendje, pengesa në të pamur ose dhimbje të këmbëve. Nëse keni ndonjërën nga këto ankesa konsultohuni me mjekun.

Nëse keni dyshime për atë se a duhet të agjëroni apo jo bisedoni me një predikuese të fesë, me burrin tuaj, me nënën, motrën ose me ndonjë shoqe.

A mund ta ushqeni beben me gji derisa agjëroni?

Nëse keni fëmijën në gji, nga ju nuk pritet që të agjëroni gjatë muajit të Ramazanit. Predikuesit e fesë islame thonë se gratë të cilat ushqejnë fëmijën me gji (si dhe ato që janë të sëmura dhe gratë që udhëtojnë) janë të lejuara që të mos agjërojnë.

Megjithatë, vendimi juaj varet nga mosha e bebes. Natyrisht që nuk është njësoj se a është beba juaj disamuajshe dhe ju e ushqeni vetëm me gji, apo fëmija juaj ka mbushur një vit, është i shëndetshëm dhe ushqehet me të gjitha ushqimet, ndërkohë që ju e ushqeni me gji vetëm gjatë natës.

Është mirë që të diskutoni për këtë gjë me:

– Shoqet dhe familjaret e juaja (nëna, gjyshja, motra, halla, tezja)
– Me doktorin tuaj
– Me predikuesen e fesë

A e dëmton agjërimi beben tuaj që e ushqeni me gji?

Ju nëse agjëroni nuk do ta dëmtoni beben, sepse ju do të vazhdoni të prodhoni qumësht në sasi të mjaftueshme për ta ushqyer atë. Fakti që ju nuk merrni kalori të mjaftueshme nuk ndikon në sasinë e qumështit që ju prodhoni.

Organizmi juaj adaptohet dhe i shfrytëzon më mirë kaloritë të cilat janë në dispozicion. Në fakt, një grua mund të mos hajë asgjë për 24 orë dhe kjo nuk ndikon aspak në sasinë dhe në vlerën ushqyese të qumështit të gjirit. Ju mund të ndjeni efektet e agjërimit (dhe mund të vendosni ta ndërpreni agjërimin) përpara se organizmi juaj të fillojë të prodhojë më pak qumësht.

A ndryshon cilësia e qumështit gjatë agjërimit?

Agjërimi nuk ndikon as në cilësinë e qumështit. Domethënë bebja juaj nuk preket nga ky ndryshim. Bebja mësohet me ndryshimet e vogla në qumështin e gjirit, varësisht se çfarë ju hani dhe varësisht sa bebja ka nevojë për të pirë. Është vërtetuar se edhe nëse nëna agjëron 24 orë rresht, kjo nuk ndikon aspak në përqindjen e yndyrës në qumështin e gjirit.

Nëse ju hani aq pak, sa që filloni të humbni peshë, kjo mund të ndikojë që të ndryshojë lloji i yndyrës në qumështin e gjirit, por jo sasia e yndyrës. Ndonëse edhe vetë gjiri mund të prodhojë një sasi të yndyrës së qumështit, pjesa më e madhe e yndyrës vjen nga depot e yndyrës në trupin tuaj (në rast se ju nuk merrni sasi të mjaftueshme me ushqim).

A e dëmton agjërimi organizmin tuaj tash kur jeni duke e ushqyer beben me gji?

Organizmi juaj ka aftësi që ta përballojë shumë mirë agjërimin. Në një studim, u bënë analizat e gjakut tek një grup i vogël i grave të cilat agjëruan gjatë Ramazanit. Baraspesha e materieve kimike ishte e njëjtë si tek gratë cilat ushqenin fëmijën me gji dhe sikur tek ato që nuk ushqenin fëmijën me gji ose tek ato që nuk ishin shtatzënë; domethënë pavarësisht se a e ushqeni fëmijën me gji, gjatë agjërimit përbërësit e gjakut nuk ndryshojnë.

Natyrisht, nëse keni agjëruar ndonjëherë më parë e dini se sa shumë ju merr etja. Nëse dehidroheni ju nuk do të ndjeheni mirë. Shenjat e para të dehidrimit janë:

– etja e madhe
– urina ka ngjyrë të errët dhe erë të rëndë
– ndjeheni e plogësht dhe e lodhur
– keni kokëdhimbje ose ndonjë dhimbje tjetër

Nëse keni ndonjërën nga këto shenja, ndërpriteni agjërimin me pak ujë dhe pushoni. Pas gjysmë ore nëse prapë nuk ndjeheni mirë konsultohuni me mjekun.

Gjatë iftarit dhe syfyrit pini shumë lëngje, veçanërisht në syfyr. Por, kini kujdes, mos e mbushni barkun vetëm me lëngje, sepse ju keni nevojë për materie ushqyese dhe për kaloritë të cilat i merrni me ushqim. Mund ta keni vështirë që të hani gjatë natës dhe për këtë arsye mund të humbni në peshë. Nëse kjo ndodhë konsultohuni patjetër me mjekun.

Megjithatë, pushoni dhe mos keni merak, sepse derisa jeni e shëndetshme dhe e lumtur, edhe në rast se humbni deri 1 kg në javë gjatë Ramazanit, kjo nuk ndikon aspak në prodhimin e qumështit.

Si mund t’i parandaloni problemet?

– Përpara agjërimit duhet të bëni disa përgatitje në mënyrë që t’i evitoni problemet e mundshme me shëndetin.
– Akumuloni sasi të mjaftueshme ushqimi në shtëpi dhe punët e shtëpisë të cilat kërkojnë energji kryeni përpara Ramazanit.
– Mbani një ditar të ushqimit në mënyrë që të siguroheni se jeni duke ngrënë dhe pirë mjaftueshëm edhe gjatë natës.
– Gjatë ditës pushoni sa më shumë që është e mundur. Telegrafi

Ass. dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër

Share Button