Rama: Do të mbështesim sportistët

Kreu i qeverisë Edi Rama hapi sot dyert e kryeministrisë për sportistët elitarë dhe premtoi mbështetje për ta. Kryeministri prezantoi para tyre projektin e një parku olimpik që pritet të ndërtohet, ndërsa kërkoi nga sportistët të protestojnë në rast se ky projekt nuk realizohet. “Nëse nuk realizohet ejani me medalje para kryeministrisë. Ne do ndërmarrim hapa konkrete për kushtet që meritoni”, tha ai.
Duke u shprehur se vendi e ka ndjerë largimin e talenteve, Rama u shpreh se për ta tashmë do bëhet më shumë që të mund të ngrenë më lart flamurin tonë kombëtar. Ai u premtoi sportistëve se do marrin gjithçka meritojnë, pa iu dashur më të protestojnë para kryeministrisë.
“E kemi ndjerë largimin e talenteve. Talentet shkojnë larg, marrin pasaporta të tjera, veshin uniforma të tjera, ngrenë të tjerë flamur për të provuar sa vlejnë. Unë sot jam krenar që kampionët tanë, sot nuk iu është dashur të rreshtohen para kryeministrisë dhe të varin medaljet, si një pankartë për të thënë jemi edhe në gjallë dhe mos na lini të vdesim bashkë me ëndrrat tona. Janë këtu zot të kësaj godine, ku zyrat janë tonat por pushteti në sport është i tyre, i të gjithë atyre që nëpërmjet sportit i japin kësaj shoqërie mesazhin se madhësia e suksesit tënd varet nga madhësia e ëndrrës që ti ushqen”, tha ai

Share Button