Qytetarët e Odesës marshojnë për unitetin e Ukrainës

Mijëra banorë të Odesës marshuan në rrugët e qytetit ku  kërkuan mbështetje për integritetin e Ukrainës. Mbështetësit e integritetit të Ukrainës, shumë prej të cilëve të maskuar, marshuan në Odesa mbrëmjen e së dielës përpara se të shkonin në selinë qendrore të policisë. Ata kënduan himnin kombëtar dhe ringritën flamurin që ishte djegur të shtunën në aktivistët prorusë. Manifestimi vjen pasi qyteti është i tronditur nga dhuna e ditëve të fundit, ku nga ndërhyrja e policisë mbetën të vrarë rreth 40 persona, shumica e të cilëve aktivistë prorusë. Protestuesit separatistë sulmuan sërish forcat e policisë, por janë ndalur prej tyre. Ndërkohë, në qytetin e rrethuar të Sllovjanskut, po shtohet druajtja e një ofensive nga ana e trupave ukrainase. Ushtria e Kievit ka ndërprerë rrugën kryesore që të çon në qytet, duke shtrënguar darën mbi separatistët që mbajnë nën kontroll qendrën.
Banorët presin që Ushtria të ndërhyjë e i druhen një bilanci si ai në Odesa.  Atmosfera është ashpërsuar në të gjitha qytetet lindore. Shumë njerëz të tmerruar nga vrasjet e së premtes, në Odesa thonë se ato nuk mund të falen. Mirëpo, edhe në zemrën e separatistëve prorusë, ka shenja sporadike të mbështetjes për unitetin e Ukrainës. Por, atmosfera e përgjithshme është ajo e zemërimit dhe e sfidës ndaj dërgimit të trupave ushtarake nga ana e Kievit. Duke folur pas ngjarjeve të përgjakshme në qytetin port të Odesës, kryeministri ukrainas Arseniy Yatsenyuk akuzoi Rusinë se po ekzekuton një plan për të shkatërruar Ukrainën.

Share Button