Qelq antiplumb përreth Kullës së Ajfelit

Autoritetet franceze kanë filluar me vendosjen e qelqit antiplumb përreth Kullës së Ajfelit për shkaqe sigurie, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga Komuna e Parisit thuhet se krahas vendosjes së qelqit, në kullë janë duke u kryer edhe punimet për ngjyrosje dhe rinovimin e ashensorit.

Komuna në deklaratë ka theksuar se me këto punime synohet siguri më e lartë e kullës dhe se pjesa më e madhe e punimeve të rinovimit do të përfundojnë pa e penguar turizmin, para Lojërave Olimpike 2024.

Siç njoftohet, rinovimi në kullën e vizituar nga rreth shtatë milionë njerëz në vit do të kushtojë 300 milionë euro.

Kulla e Ajfelit që nga korriku i vitit 2016 kontrollohet me sistem elektronik monitorimi dhe policë që janë në detyrë 24 orë.

Në Francë ende vazhdon gjendja e jashtëzakonshme që u shpall në tërë vendin pas akteve terroriste të 13 nëntorit të vitit 2015 në Paris, ku si pasojë jetën humbën mbi 130 persona.

Share Button