Putin kritikon sanksionet e SHBA ndaj Rusisë

Presidenti rus Vladimir Putin  kritikoi sanksionet e fundit të Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë, duke shtuar se ato do të dëmtojnë marrëdhëniet mes dy vendeve e do të prekin bizneset. Komentet e shefit të Kremlinit erdhën pas masave të reja të Uashingtonit, pasojë e vazhdimit të tensioneve në Ukrainë, situatë kjo për të cilën Amerika fajëson Moskën dhe mbështetjen që ajo u jep separatistëve. Sanksionet e reja të Shteteve të Bashkuara do të prekin disa nga bankat e mëdha, kompanitë e energjisë, si edhe ato të mbrojtjes. Në listë figurojnë, mes të tjerësh, edhe ‘Gazprombank’ e ‘Rosneft’, si dhe disa zyrtarë të lartë rusë. Për Putin-in, një lëvizje e tillë i çon marrëdhëniet mes dy vendeve drejt një “rruge pa krye”.“Të tilla ndëshkime nuk do të shërbejnë veçse për të gjeneruar reaksion ndaj kompanive amerikane që veprojne në Rusi, dhe kjo nuk është në interesin e këtyre të fundit, e as të qeverisë e popullit amerikan”, është shprehur Putin. Ministria e Jashtme ruse e cilësoi vendimin e Uashingtonit “indinjues” dhe një “përpjekje primitive për hakmarrje”. Numri dy i diplomacisë, Sergei Ryabkov, deklaroi se Rusia do të përgjigjet me të njëjtën monedhë, por pa hyrë në detaje.
Sipas mediave ndërkombëtare, edhe BE-ja është duke shqyrtuar mundësinë e zgjerimit të sanksioneve ndaj Rusisë, edhe pse jo në nivelin e SHBA-ve. Ishte presidenti amerikan Barack Obama, ai që i bëri të njohura masat e reja ekonomike ndaj bankave dhe kompanive energjitike ruse. Nga Shtëpia e Bardhë, Obama kujtoi se i ka bërë thirrje vazhdimisht Moskës të marrë hapa për lehtësimin e krizës me Ukrainën, por rekomandimet e Amerikës nuk janë marrë parasysh.
Në një deklaratë të Departamentit të Thesarit sqarohej se masat e reja ndalojnë financimin amerikan të dy institucioneve ruse, Novatek and Rosneft, dhe kufizojnë qasjen e tyre në tregjet e kapitalit. Sanksionet, po ashtu, shënjestrojnë tetë firma ruse për prodhimin e armatimeve, të cilat prodhojnë lloje të ndryshme armatimesh, si armë të lehta, predha për mortaja dhe tanke, e prekin edhe një objekt të rëndësishëm transporti në gadishullin e Krimesë.

Share Button