Publikohen foto të panjohura të genocidit mbi çamët

“Kolaboracioni dhe genocidi në çamëri  1944-1945”, (E vërteta e bashkëpunimit të çamëve me gjermanët) është studimi më i fundit mbi raportet shqiptaro-greke në fokus të së cilit është çështja çame. Studiuesi Arben P. Llalla sjell aspekte dhe dokumente historike me pika të shkurta që nga koha e qeverisë së Joani Metaksait (1936- 1941) e deri në Genocidin grek ndaj popullsisë shqiptare (1944- 1945). Për të nxjerrë në dritë të vërtetën se çamët nuk kanë bashkëpunuar asnjëherë kolektivisht me italianët dhe gjermanët.

“Ka pasur individë që kanë bashkëpunuar me këta pushtues, por nuk mund të masakrohet një popull i tërë për individë të cilët edhe në të shkuarën i kanë shërbyer pushtuesve të ndryshëm për të ruajtur pasurinë dhe privilegjet”, shkruan Llalla.

Ai sjell fakte se djemtë e Çamërisë ishin përkrah ushtrisë partizane greke EAM-ELAS dhe shumë prej tyre ranë dëshmorë për lirinë e Greqisë duke besuar tek bashkëjetesa vëllazërore e dy popujve dhe vërteton shkencërisht se kush janë ata që bashkëpunuan zyrtarisht me pushtuesit italian dhe gjerman. “Libri përmban fakte nga arkivat greke, 90% e bibliografisë sonë është mbështetur tek gazetat, revistat dhe librat e autorëve grek.

cam-1

Po ashtu edhe faksimile të gazetave të vitit 1942, ku lexojmë shkrime rreth bashkëpunimit të Napoleon Zervës dhe EDES me gjermanët, faksimile të botuara gjatë viteve të fundit nga CIA rreth bashkëpunimit të disa personaliteteve greke që më tej u bënë figura qendrore të jetës politike në Greqi si ish-kryetari i saj Konstandin Karamanlis, etj. Në libër gjenden me dhjetëra fotografi që nga viti 1936-1944, që tregojnë instalimin e simboleve fashiste dhe naziste nga qeveria e Joani Metaksas, fotografi nga marrëveshja e dorëzimit paqësor, pa kushte, tek ushtria naziste gjermane e ushtrisë greke në prill 1941”, shkruan Llalla.

Sipas tij me interes janë edhe faktet e klerikëve grek si Kryepeshkopë dhe Peshkopë të cilët hoqën rrobën fetare dhe veshën uniformën e ushtrisë EDES duke marrë pjesë të drejtpërdrejtë në masakrat kundër popullsisë së pambrojtur shqiptare në Çamëri. Pjesëmarrja e Kryepeshkopit Spiridon Vllehu në aneksimin e jugut të Shqipërisë nga ushtria greke në vitin 1914, dhe roli kyç i tij në dorëzimin paqësor të ushtrisë greke tek gjermanët në prill të 1941. “Në Genocidin grek kundër popullsisë çame morën pjesë edhe dy figura të larta të Kishës Autoqefale të Greqisë si Peshkopi i Paramithisë, Dhorotheos dhe Kryepeshkopi Serafeim.

Këto fakte janë mbështetur në fotografitë të asaj kohe që gjenden në libër, por edhe në deklaratat e bëra nga vetë klerikët grek pas shumë vitesh”, thotë Llalla. Në libër gjenden fotografitë origjinale që historianët grek i kanë keqinterpretuar qëllimisht për lexuesin ndër vite sikur shqiptarët e Çamërisë janë në bashkëpunim me nazistët gjerman, por e vërteta e atyre fotografive është krejt tjetër gjë.

Ky libër nuk i përket vetëm lexuesve të rëndomtë të cilët do të mësojmë gjëra që shumë pak historian, studiues dhe publicistë i thonë, por edhe akademikëve do t‘ju shërbejë si një udhërrëfyes për të nxjerrë nga pluhuri i harresës të vërtetën e Genocidit grek ndaj shqiptarëve në Çamëri.” Është një libër që nuk është shkruar për propagandë politike, as për të hedhur baltë mbi popullin grek apo personalitetet e tyre, por për të thënë të vërtetën që njerëzimi duhet ta mësojë pa ndikimet emocionale dhe interesat politike.

Çështja çame nuk është thjeshtë një çështje historike dhe e pronave të konfiskuara me ligj nga shteti grek, por kjo çështje në radhë të parë është politike ku prej vitit 1913, pas pushtimit grek të Çamërisë-Epirit të Jugut, filloi dhuna dhe racizmi shtetëror ndaj shqiptarëve. Ka pasur disa përzënie me dhunë të shqiptarëve nga Çamëria si në vitin 1913, 1922-1923, 1936- 1938 dhe ajo më tragjike e 1944-1945, që njihet zyrtarisht nga shteti shqiptar me rezolutë të votuar në Kuvendin e Shqipërisë si Genocidi Grek ndaj popullsisë shqiptare në Çamëri gjatëve viteve 1944-1945”, thotë Llalla.

Sipas tij, zgjidhja paqësore e çështjes çame sa më shpejtë, do çlironte grekët nga ankthi i një përplasje tragjike me shqiptarët. “Prej shumë vitesh Greqia jeton me tensionin se një ditë Shqipëria do sulmojë për të rimarrë Çamërinë. Atëherë nëse Greqia ka pasur të drejtë në përzënien e shqiptarëve nga Çamëria përse jeton me ankthin e një lufte midis dy vendeve?

Grekët duke qenë të ndërgjegjshëm se i kanë masakruar, grabitur dhe përzënë shqiptarët nga Çamëria pa asnjë faj, pa asnjë fakt të vërtetuar se kanë qenë bashkëpunëtor të gjermanëve, gjithnjë në shpirtrat e tyre do kenë një ankth, një brengë për mëkatin e bërë ndaj çamëve. Meqenëse grekët shtiren si besimtar të mëdhenj ku kisha dhe shteti janë të pandarë, atëherë Zoti e mëshiroftë Greqinë dhe grekët ndaj mëkatit që kanë bërë.

Një zgjidhje paqësore e çështjes çame ku shteti grek do të hiqte në fillim Ligjin e Luftës me Shqipërinë, do të lejonte çamët në grupe të organizuara të vizitojnë varret e të parëve, shtëpitë gjysmë të rrënuara, do të ishin hapat kryesor që do të ndikonin pozitivisht në psikologjinë e mirëbesimit tek dy popujt. Këto veprime nuk janë të pamundura nëse vërtetë tek klasa politike e dy vendeve ekziston dëshira për paqe dhe miqësi duke thënë dhe mbrojtur të vërtetën.

Atë të vërtetë që duhet ta themi të gjithë bashkë, grekë e shqiptarë nëse duam një fqinjësi të mirë, nëse duam një të ardhme paqësore dhe të sigurt. Pa zgjidhje të çështjes çame, asnjëherë s’do të ketë miqësi dhe fqinjësi të sinqertë midis dy popujve. Nuk e dimë se çfarë befasish na përgatit e ardhmja, por fillimi i shek. 21, po tregon se në Ballkan ka më shumë shqiptar se sa grek”, shkruan Llalla. Autori e ka shkruar librin  në vitet 2008- 2016.

cam-2

Share Button