Protestë në Shkup, qytetarët kërkojnë ajër të pastër

Koalicioni për ajër të pastër “O2” dhe Ambasada e parë e Fëmijëve në botë “Megjashi” bashkë me 18 organizata civile dhe joqeveritare dje në Shkup dolën në marsh paqësor për ajër të pastër.

Qindra qytetarë u mblodhën në marshin paqësor të cilët kërkuan nga institucionet kompetente të punojnë më shumë në zgjidhjen e problemit të ajrit të ndotur në Shkup dhe në rrethin e tij, por edhe në qytete të tjera si Tetova dhe Manastiri, në të cilat ajri i ndotur sidomos gjatë periudhës së dimrit paraqet një problem të madh për qytetarët e këtyre qyteteve.

“Duam ajër të pastër”, “Nuk ka ajër të pastër, nuk ka paqe”, “çfarë bëjmë me ajrin e ndotur”, ishin disa nga sloganet të cilat i brohoritën qytetarët e tubuar përpara ndërtesës së qeverisë së Republikës së Maqedonisë.

Ata porositën se sot kanë dalë në rrugët e kryeqytetit të Maqedonisë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Paqes – 21 shtatori, me çka, siç thonë, dëshirojnë të dërgojnë mesazhin se ajri i pastër është një nga çështjet kryesore për qytetarët.

Në emër të organizatorëve foli Igor Noveski nga Koalicioni për ajër të pastër “O2” i cili i bëri të ditur masat të cilat i kërkojnë organizatat civile nga institucionet kompetente me qëllim që në mënyrë adekuate t’i qasen problemit me ajrin e ndotur.

“Disa nga masat janë moratorium në aktivitetet e ndërtimit sidomos në muajt kur ajri është më i ndotur. Në fushën e industrisë automobilistike dhe trafikut: për të gjitha automjetet që janë ndotës të mëdhenj të ketë moratorium që të parandalohet lëvizja nëpër qytet, dhe një nga masat në industri të bëhet revizion dhe të vendosen filtra në pikat më të nxehta të tilla si Tetovë, Manastir Shkup. Ne gjithashtu punojmë në ngritjen e vetëdijes tek qytetarët. Sa i përket ngrohjes së shtëpive, ne mbështesim masat për gazifikimin dhe burimet e ripërtëritshme të energjisë, kryesisht për shkak se ne duam të heqim varësinë nga qymyri”, tha Noveski.

Dragi Zmijanac nga Ambasada e parë e Fëmijëve “Megjashi” tha se Qeveria e Maqedonisë si më relevante duhet të përgjigjet në mënyrë adekuate në kërkesat e tyre.

“Kemi kërkesa afatmesme, afatshkurtra dhe afatgjata. Ne gjithashtu presim masa konkrete që do të zbatohen në periudhën e ardhshme. Nëse nuk fillojnë me të vërtetë të zbatojnë masat, ne do të dalim më shpesh në rrugë, sepse vetëm në këtë mënyrë do të bëjmë presion politik që seriozisht të na trajtojnë, sepse është vënë në pikëpyetje jo vetëm jeta e fëmijëve, por edhe e të gjithë qytetarëve të cilët veçanërisht i ndiejnë vështirësitë në dimër, në periudhën e pranverës dhe të vjeshtës”, tha Zmijanac në deklaratën e tij për media.

Ai shtoi se çdo i dyti fëmijë në qytetet e ndotura vuan nga astma.

Pasi i shpalosën kërkesat e tyre deri tek Qeveria, qytetarët e mbledhur dhe organizatorët e marshit paqësor kaluan nëpërmejt bulevardit “Ilinden” dhe bulevardit “8 shtatori” ku pjesëmarrësit e marshit u bashkuan me organizatat partnere të shoqërisë civile “Ne jemi Karposh 4” dhe “Karposh 3” të cilët gjithashtu mbajtën një protestë paqësore.

Share Button