Protestat në Venezuelë, qindra të arrestuar

Forcat e sigurisë në Venezuelë kanë kryer një operacion gjatë ditës së enjte ndaj kampeve të ngritur në shenjë proteste ndaj Presidentit Nikolas Maduro, duke u përballur më pas me zemërimin e protestuesve. Trupat e Gardës Kombëtare kanë vepruar mëngjesin e së enjtes duke shkatërruar 4 prej tendave të ngritura nga studentët, si pjesë e një vale protestash e nisur rreth 3 muaj më parë. Policia përdori gaz lotsjellës ndaj protestuesve që kishin krijuar një barrikadë përgjatë një rruge kryesore në Caracas, duke kërkuar lirimin e studentëve të ndaluar nga forcat qeveritare. “Këto janë arrestime të papërgjegjshme sepse kjo është një protestë paqësore dhe ne nuk po tentojmë rrëzimin e qeverisë”, ka thënë Jose Manuel Perez, një 22 vjeçar, udhëheqës i studentëve. Ministri i Brendshëm, Miguel Rodriguez ka thënë se ushtria ka arrestuar 243 persona, duke i akuzuar studentët për përdorimin e kampeve si baza për të organizuar protesta të dhunshme. Ai ka shtuar se në tenda janë gjetur mortaja dhe bomba me molotov. Aktet sporadike të dhunës kanë vazhduar edhe gjatë kësaj jave, duke përfshirë edhe djegien e një automjeti të Gardë Kombëtare. Sipas shifrave zyrtare 41 persona janë vrarë dhe mbi 800 të tjerë kanë mbetur të plagosur që nga nisja e protestave. Mbi 3 mijë protestues janë arrestuar që nga shkurti, ku 450 prej tyre ndodhen ende në paraburgim.  “Ushtria ka ndërhyrë me arsyetimin e mbajtjes së armëve dhe të drogës në tenda, por kjo është krejtësisht e pavërtetë. I bëj thirrje botës për të na ndihmuar dhe të kuptojnë se kjo është një diktaturë”, ka deklaruar një tjetër përfaqësues i protestuesve.

Share Button