Protesta e opozitës, Rama: Vandalizëm mizerabël

Vandalizëm mizerabël e ka quajtur protestën e sotme të opozitës kryeministri Edi Rama, në një reagim në Facebook.

“Ç’shëmti e trishtueshme, mu në Ditën Kombëtare të Rinisë, të shohësh PD e sotme të mbytur në pellgun e një vandalizmi mizerabël, teksa kujton lëvizjen studentore që shembi regjimin komunist e i dha jetë vetë Partisë Demokratike, pa thyer asnjë xham”, shkruan Rama.

Ai vijon më tej duke u shprehur se është shëmti e trishtueshme të krahasosh protestën e 25 viteve më parë, me këtë shfaqje të vobektë të politikës së ngjirur të PD-së.

“Ç’shëmti e trishtueshme të krahasosh protestat e zemrave plot dritë, pasion, qytetari, ironi e humor të 25 vjetëve më parë, me këtë shfaqje të vobektë të politikës së ngjirur të PD-së, e cila sot përpëlitet mes baltës së mendjeve të errëta të Shqupit dhe një tufë të verbërish të cilët shajnë në hava, thyejnë xhama kot më kot, ndezin zjarre kuturu e dëmtojnë qorrazi, pronën publike në mes të bulevardit të Shqipërisë”, vijon më tej Rama.

Duke sulmuar opozitën, Rama shprehet se PD është katandisur në një hije të vetvetes që përqet ta ringjallë shpresën me sharje, e besimin ta rifitojë me gurë. Djegien e bunkerit, kryeministri e ka krahasuar me egërsinë primitive që digjte e shkatërronte regjimi komunist.

Share Button