Projekti i Rrugës së Arbrit prezantohet sot në Bulqizë

Gjatë një dëgjese më qytetarët në Dibër, Edi Rama foli për Rrugën e re të Arbrit, që në projekt tashmë është gati, ndërsa Ministria e Financave po negocion me kompaninë fituese, kontratën financiare.

“Ne gjetëm një marrëveshje të bërë nga qeveria më parë me sy mbyll, siç bëheshin zakonisht marrëveshjet e qeverisë mëparshme me një kompani kineze për 17 km dhe me një angazhim financiar marramendës për buxhetin, për të cilën ne negociuam disa vjet dhe vendosëm ta ndalojmë dhe sot në projekt ne kemi 40 km. Kemi edhe lidhjen e Klosit dhe Burrelit me aksin. Rruga ka një përmirësim në projekt, shumë të konsiderueshëm sa i përket lartësive, urave dhe gjithë trajektores dhe bëhet me gjysmën e kostos së parashikuar në idenë e vjetër që ishte marrëzi. Më në fund kantieri do hapet dhe s’do ndalojë më derisa të ndërtohet plotësisht Rruga e Arbrit”, tha Kryeministri.

Rama tha se kjo rrugë do të lidhe jo vetëm më shumë dhe shpejt Tiranën me Dibrën por edhe Shqipërinë me Maqedoninë.

“Pas ndërtimit të rrugës Dibra do jetë një lagje e madhe e Tiranës sepse integrimi me Tiranën do jetë i plotë. Siç është ëndërruar prej kohësh dhe parashikuar në planin tonë për realizimin e shërbimeve, Dibra kthehet në oborrin e pasmë të Tiranës. Me ndërtimin e rrugës do kthehen investimet e rëndësishme në turizëm, bujqësi dhe ekonomisë familjare që sot jetojnë të izoluara. Ka edhe një element tjetër, lidhja me anën tjetër të kufirit, Dibrën e Madhe për të cilën ne po diskutojmë me qeverinë maqedonase që të garantojmë që nga ana e tyre të ndërtohet pjesa e mbetur e aksit që pengon ndërlidhjen më të shpejtë”, u shpreh Rama.
Ristrukturimit do t’i nënshtrohen edhe akset ekzistuese kombëtare, asnjë prej të cilave sipas kryeministrit, nuk plotëson standardet europiane.

“Kemi program financimi jo vetëm për infrastrukturën lokale por në 4 vjet, të gjitha rrugët në Shqipëri, edhe të mëdhatë që s’kanë asnjë garanci ose janë bërë partizançe pa lek, do kthehen në rrugë me standard europiane, qoftë aksi drejt Shkodrës, drejt Sarandës apo Tepelenës apo Kukësit dhe aksi drejt Korçës. I kemi rrugët që fillon me një standard e mbaron me tjetër, sikur prêt kostum, mëngët me masën e Erjon Braçes e gjerësia për mua. Ne do t’i bëjmë komplet ndryshe, do I ristrukturojmë, rrugët rajonale dhe vendore për të nxit turizmin dhe bujqësinë”, u shpreh Kryeministri Rama.

Për Dibrën, qeveria ka gati edhe 2 projekte të tjera, për ta shndërruar në një destinacion turistik, projekti i muzeut të Skënderbeut dhe rindërtimi i llixhave, si potenciale ekonomike.

Share Button