Prizren, hapet Forumi i katërt Ndërkombëtar i Biznesit

Sot në Prizren të Kosovës u hap Forumi i katërt Ndërkombëtar i Biznesit i cili ka për qëllim promovimin e prodhimeve vendore.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Bajram Hasani gatë fjalimit të tij në ceremoninë e hapjes së këtij forumi theksoi mbështetjen e ministrisë për fuqizimin e organizimeve të tilla.

“Qeveria e Kosovës, respektivisht MTI është duke i kushtuar vëmendje të veçantë aktiviteteve që ndërlidhen me promovimin e bizneseve, rritjen e eksportit, përmirësimin e klimës së biznesit, krijimin e vendeve të punës dhe rrjetizimin e bizneseve në nivel rajonal dhe ndërkombëtar”, tha ai.

Nga ana e tij ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë së Kosovës, Besim Beqaj njoftoi se ministria që udhëheq ai do të hap një fond për inovacion dhe se ky fond do të fillojë aktivitetin e parë të tij ekonomik në Prizren. Beqaj tha se kjo ministri që ka mbi 10 milionë euro buxhet mbi 9 milionë të këtij buxheti janë të orientuara ekskluzivisht në përkrahjen e sektorit privat.

“Pashë ndërmarrje nga Belgjika të cilat dëshirojnë t’i prezantojnë projektet e veta, aktivitete të përbashkëta në mes të dy ndërmarrjeve, turke dhe kosovare, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë. E keni derën e hapur në Ministrinë për Inovacion dhe Ndërmarrësi që idetë e juaja të bëhen realitet dhe kjo mundëson një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në Kosovë”, tha ai.

Ndërsa ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Kujtim Gashi tha se kjo është ndër ngjarjet më të spikatura që organizohet në Republikën e Kosovës për promovimin e produkteve.

– Rreth 90 biznesmenë nga Turqia

Në Forumin Ndërkombëtar të Biznesit në Prizren marrin pjesë 140 kompani prodhuese dhe rreth 300 biznesmenë nga Kosova, Shqipëria, Italia, Turqia, Bullgaria, Bosnjë e Hercegovina, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, Norvegjia, Belgjika dhe shtete të shumtë të tjera.

Në Forum gjithashtu marrin pjesë edhe rreth 90 biznesmenë nga Turqia. Zv/kryetari i kuvendit të Odës Tregtare të Eskishehirit në Turqi (ETO), Muzaffer Oğuz në një deklaratë për AA tha se ky është viti i katërt që përfaqësuesit e ETO-s po marrin pjesë në këtë forum.

“Pjesëmarrja nga Turqia është tejet e rëndësishme. Para së gjithash ky është një vend me të cilin kemi lidhje gjaku. Më erdh shumë mirë kur pashë këtu prodhime të vendeve tona. Ka një përfitim të madh nëse bëhen punë të ndërsjellta. Kemi nevojë që të bëjmë më shumë tregti”, tha ai.

Në kuadër të Forumit të Katërt Ndërkombëtar të Biznesit në Prizren do të organizohen takimet ndërkombëtare të bizneseve (takimi B2B), panaire dhe konferenca të ndryshme. Forumi do të zgjasë deri më datën 29 tetor.

Në ceremoninë e hapjes së këtij forumi të biznesit gjithashtu morën pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Lulzim Kabashi, Konsullja e Përgjithshme e Turqisë në Prizren, Selen Evcit, koordinatori i projektit të këtij forumi Levent Bus, deputetë dhe përfaqësues të odave tregtare dhe të bizneseve kosovare e ndërkombëtare.

Share Button