Prishtinë, mbahet konferenca “Politika e rrjeteve trans-evropiane”

Parlamenti Evropian, në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës dhe Këshillin për Bashkëpunim Rajonal, si pjesë e Programit për Mbështetje 2017 të PE-së për parlamentet e vendeve në zgjerim, sot organizoi konferencën ndër-parlamentare me temë “Politika e rrjeteve trans-evropiane dhe axhenda lidhëse”, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë fjalimit të saj, Karima Delli, eurodeputete dhe kryetare e komisionit për Transport, Turizëm i PE-së, tha se vendet e Evropës Juglindore duhet të kenë një bashkëpunim të ngushtë dhe transparent në të gjitha nivelet. “Unë shpresoj që kjo konferencë do t’i thellojë mirëkuptimet tona dhe të na ndihmojë që t’arrijmë që të funksionojmë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të lidhemi me njëri tjetrin dhe të punojmë për paqe. Evropa duhet të ndërtohet dhe t’iu shërbejë qytetarëve dhe bizneseve”, tha Delli.

Kurse, Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës tha se organizimi i kësaj konference në Prishtinë përcjell mesazhin se PE ka në vëmendje raportin aktual me Kosovën dhe synon të nxisë dhe rrisë bashkëpunimin në të ardhmen. Përkundër asaj që kjo konferencë është në interes të të gjithë popujve të rajonit, sidomos në integrimin në BE, Haliti tha se delegacioni nga Serbia nuk ka pranuar të marrë pjesë në këtë konferencë.

“Tash më Kosova ka bërë disa hapa konkrete në ndërtimin e rrugëve që i lidhin vendet e rajonit siç është ajo me Shqipërinë, në proces me Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi. Këto rrugë përveç karakterit zhvillimor ekonomik, i cili ndikon në mirëqenien e qytetarëve dhe rritjen e aktivitetit të këtyre vendeve për bizneset ndërkombëtare dhe investimet direkte të tyre, çojnë përpara paqen, stabilitetin dhe bashkëjetesën ndërmjet popujve të rajonit tonë”.

Vedran Babiç, anëtar i delegacionit të parlamentit kroat në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, tha se PE e përkrah bashkëpunimin rajonal në zgjidhjen e sfidave të përbashkëta dhe realizimin e qëllimeve për lidhjen e rajonit dhe promovimin e rritjes ekonomike.

“Bashkëpunimi rajonal hap mundësi për zgjidhjen e sfidave të vjetra dhe të reja. Kjo konferencë është e rëndësishme që të informohemi dhe t’i shkëmbejmë arritjet e Evropës dhe politikave transevropiane, njëkohësisht konferenca është e rëndësishme për ndikimet dhe aktivitetet e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe Evropës Juglindore në drejtim të integrimit evrpian”, tha Babiç.

Ndërkaq, Gazmend Turdiu, zëvendës Sekretar Gjeneral i Këshillit për Bashkëpunim rajonal, duke theksuar se problemi më kritik në këtë rajon është rritja e papunësisë tha se duhet bërë më shumë që ky problem të zbutet. Kurse Jozo Rados, anëtar i komisionit për Punë të Jashtme, foli për situatën e komplikuar në vendet e Ballkanit, në Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni e Serbi, ku sipas tij çdo iniciativë ka një rëndësi të madhe për ta sjellur stabilitetin në rajon.

Në konferencë të pranishëm ishin rreth 200 pjesëmarrës nga vende të ndryshme të rajonit, si Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Turqia.

Share Button