Prishtina: Pakt për shembjen e murit në Mitrovicë

Qeveria e Kosovës njoftoi përmes një deklarate të saj se është gjetur gjuha e përbashkët për rrëzimin e murit të ndërtuar nga serbët në Mitrovicë. Pakti është arritur siç duket gjatë takimit të Ministrit të Mjedisit, Shala me kryetarin e Mitrovicës Veriore, Goran Rakiç, takim i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Në deklaratë nuk shpjegohet se kur do të ndodhë saktësisht heqja e murit, por sipas disa mediave vendase, rrëzimi mund të ndodhë ndoshta edhe gjatë fundjavës, nëse Rakiç arrin të merret vesh me përfaqësuesit e subjekteve politike serbe, sidomos ata të listës “Srpska”.

Serbët e nisën javën e parë të dhjetorit ndërtimin e murit në pjesën veriore të urës mbi Lumin Ibër, që e ndan Mitrovicën në dy pjesë.

Ngritja e tij u kundërshtua ashpër nga Qeveria e Kosovës me argumentin se barriera bie ndesh me lirinë e lëvizjes dhe si i tillë do të shembet duke qenë se nuk është pjesë e planit të Bashkimit Europian për rivitalizimin e urës.

Share Button