Presidentja kërkon falje për tragjedinë e tragetit në Kore

Presidentja koreano-jugore, Park Geun Hye ka kërkuar falje për tragjedinë e tragetit, në një deklaratë të bërë para kabinetit të saj dhe të transmetuar në televizionin kombëtar. Zonja Park tha se qeveria kishte dështuar në parandalimin e tragjedisë dhe keqmenaxhoi operacionet e skuadrave të shpëtimit. Deklarata e saj erdhi teksa vazhdojnë punët për rekuperimin e trupave nga trageti i fundosur.
Mjeti lundrues u mbyt teksa udhëtonte me 476 persona në bord, shumica e të cilëve studentë të shkollave të mesme dhe mësues, më 16 prill. Në total janë shpëtuar 174 persona. Pjesa e mbetur konfirmohen të humbur dhe me shumë gjasa të mbytur. Autoritetet kanë rekuperuar rreth 200 trupa dhe polumbarët po vazhdojnë kërkimet për të pagjeturit. “Nuk di si të kërkoj falje për dështimin në parandalimin e këtij aksidenti dhe për përgjigjen joefikase. I kërkoj falje popullit dhe njerëzve të lënduar për jetët e humbura”, tha zonja Park. Ajo kërkoi falje pas rritjes së irritimit dhe kritikave në radhët e opinionit publik lidhur me tragjedinë. Shumica e personave ndodheshin në bord për një udhëtim nga një shkollë e mesme në lokalitetin Ansan, në jug të Seulit. Kryetarja e shtetit më herët bëri homazhet e saj tek përmendorja e ngritur pranë shkollës së lokalitetit Ansan. Mediat lokale raportojnë se ajo hasi reagimin e ashpër të familjeve të viktimave.
Vëmendja është fokusuar në faktin përse ishin aq të pakët njerëzit që u evakuuan nga trageti dhe në neglizhencën e mundshme të kapitenit dhe ekuipazhit të mjetit lundrues

Share Button