Presidenti i Katalonjës nuk heq dorë nga “shpallja e pavarësisë”

Presidenti i Qeverisë Autonome të Katalonjës në lindje të Spanjës, Carles Puigdemont, ka thënë se nuk do të tërhiqet nga shpallja e njëanshme e pavarësisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne nuk e emërojmë si shpallje të njëanshme të pavarësisë. Ne po shpallim pavarësinë. Kjo është në ligjin tonë dhe ne do ta zbatojmë atë çfarë thotë ligji”, tha Puigdemont në një reportazh për televizionin katalan TV3.

Duke cituar ligjin për referendum të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, Puigdemont tha se do të zbatojnë nenin që “pavarësia të shpallet 48 orë pas rezultateve të referendumit, nëse fituese del vota pro”.

“Ju pëlqeftë apo jo, ato që po ndodhin në Katalonjë janë të vërteta. Miliona persona shfrytëzuan votën në referendum. Këta njerëz duan të vendosin për të ardhmen e tyre”, tha Puigdemont, duke theksuar se prej një kohe të gjatë nuk ka dialog me qeverinë e Spanjës.

Ndërkaq, Puigdemont nuk dha ndonjë detaj nëse do të ketë votim për shpalljen e pavarësisë në seancën plenare të parlamentit lokal që do të zhvillohet më 10 tetor, ditë e martë.

Nga ana tjetër, Asambleja Kombëtare e Katalonjës (ANC), e cila u priu iniciativave civile për pavarësi, ka pohuar se të martën do të shpallet pavarësia.

“Më 1 tetor votuam dhe fituam referendimin. Rezultati ishte shumë i qartë. Jemi një popull. Më 10 tetor, ditën e martë, do ta shpallim pavarësinë”, ka thënë kryetari i ANC-së, Jordi Sanchez.

Share Button