Presidenti amerikan fillon vizitën në Arabinë Saudite

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nisur nga Arabia Saudite turneun e tij të parë të vizitave jashtë shtetit, vizitë kjo e cila do të zgjasë 2 ditë, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Trump është pritur nga mbreti saudit, Selman bin Abdulaziz, në bazën ushtarake Mbreti Selman në Rijad, dhe me dhënien e medaljes shtetërore bashkë me bashkëshorten e tij Melania Trump dhe delegacionin shoqërues kanë kaluar për bisedime dypalëshe në rezidencën Jemane.

Pas intonimit të himneve kombëtare të të dy vendeve dhe parakalimit ceremonial zyrtar, Trump dhe bashkëshortja e tij kanë kaluar në sallën ku ndodheshin zyrtarë të nivelit të lartë amerikanë dhe sauditë.

Medalje shtetërore për Trumpin

Në takimin në rezidencën Jemane mbreti Selman ka nderuar presidentin amerikan Trump me Medaljen Shtetërore “Mbreti Abdulaziz” e cila është medalja e nivelit më të lartë në vend.

Gjatë nderimit me medaljen shtetërore krahas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë ishin të pranishëm edhe bashkëshortja dhe vajza e presidentit Trump.

Trump ditën e sotme në kuadër të vizitës do të kryejë bisedime dypalëshe dhe do të marrë pjesë në Samitin SHBA-Arabi Saudite, ndërsa ditën e nesërme do të marrë pjesë në Samitin SHBA-Vendet e Gjirit dhe Samitin SHBA-Vendet Islame.

Share Button