Presidenca zbulon shefin e kabintetit të Ilir Metës

Arben Cici është personi që është emëruar shef i kabinetit në Presidencë.
Cici ka qenë këshilltar i Presidentit Topi.

Ai u lind në Korçë më 1960. Pas diplomimit në Universitetin e Algjerit, Fakulteti i Përkthimit (1988), ka punuar si pedagog në Universitetin e Tiranës, Katedra e Gjuhës Frënge (1988-1992).

Cici ka një karrierë të gjatë në diplomaci. Nga viti 1992 ka shërbyer, në ministrinë e Punëve të Jashtme, respektivisht në pozicionet ambasador i Shqipërisë në Federatën Ruse, Drejtor i Protokollit të Shtetit, ambasador në Republikën e Kroacisë, Drejtor i Protokollit të Shtetit, Këshilltar Diplomatik i Presidentit të Republikës dhe aktualisht është Ambasador në Mbretërinë e Danimarkës.

Mban titullin e Doktorit të Shkencave Historike që nga viti 1999. Aktualisht jep mësim në disa universitete publike dhe private në Tiranë dhe Prishtinë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomacisë e ceremonialit diplomatik. Është autor i botimit të parë të ”Ceremonialit zyrtar të Republikës së Shqipërisë” (1988), bashkautor i librit ”Hyrje në teoritë politike moderne” (2009) dhe autor i shumë artikujve shkencorë e publicistikë në fushën e diplomacisë dhe më gjerë.

ben

Share Button