Portretizimi i pasaktë mediatik i muslimanëve në Britani, nxit armiqësitë

Portretizimet “e pasakta dhe mashtruese” të muslimanëve dhe islamit në disa gazeta britanike kanë ushqyer armiqësitë në vend, deklaroi për Anadolu Agency (AA një zyrtar i lartë nga Këshilli Musliman i Britanisë.

Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit, Miqdaad Versi, tha se studime të ndryshme kanë nxjerrë në dritë se “mënyra se si disa media raportojnë për muslimanët luan një rol kyç në atmosferën e përgjithshme dhe armiqësitë kundër muslimanëve në shoqëri”.

Versi ka cituar shifrat e policisë mbi rritjen e krimit të urrejtjes në vend, për të shtuar se një pjesë e konsiderueshme e asaj është nga mënyra se si muslimanët kuptohen, njihen ose identifikohen nga shoqëria më e gjerë, dhe kjo sipas tij, është për shkak të mënyrës se si media portretizon muslimanët.

Shifrat e policisë të publikuara në tetor të vitit 2016 flasin për 5.468 shkelje të ligjit në Angli dhe Uells që për motiv kanë pasur fenë ose racën, një mesatare prej 180 shkeljesh në ditë, ose 41 për qind më shumë nga viti paraprak.

“Madje edhe fëmijët e moshës së re, 30 për qind e fëmijëve mendojnë se në vend ka shumë muslimanë”, tha Versi.

“Nga vjen kjo? Kjo duhet të vijë nga diku dhe njëri nga vendet nga vjen, është mënyra se si mediat portretizojnë myslimanët”, shtoi më tej ai.

Versi tha një shembull të portretizimit negativ të muslimanëve në mediat britanike.

“Njëri nga shembujt vjen nga tabloidet të cilat raportuan se muslimanët britanik janë jashtë rrjedhave të shoqërisë sepse mendojnë se 75 për qind e Britanisë është me muslimanë. Ky rrëfim është kopjuar nga ekstremistët e djathtë të cilët e përdorën për të arsyetuar narrativin e tyre për muslimanët. Pra, në këtë gjendje të keqe është”, tha Versi.

Sipas tij, akoma më shqetësuese është se lajmi nuk ka buruar nga tabloidet por nga The Times, nga e cila pritet të reflektojë pozitivisht.

– Raportimi i Ndërgjegjshëm

Versi tha se kanë identifikuar 40 artikuj të tillë të lajmeve të prodhuara nga media të ndryshme gjatë vitit të kaluar.

“Nëse ka pasur 40 që kemi identifikuar, duhet të ketë po aq të cilat tjerët i kanë identifikuar”, tha ai.

“Ajo që desha të bëja ishte të njihej rëndësia e një mediumi të lirë, të dallonte se si ndihmon media në thirrjen e njerëzve në llogari … dhe të punojë brenda të kuptuarit të të gjithë gazetarëve për të inkurajuar raportimin e përgjegjshëm. Raportimi i përgjegjshëm e ka kuptimin të mos bësh diçka të pasaktë ose mashtruese, dhe për këtë arsye, kjo është vënë në fokusin e punës sime”, tha Versi.

Çështja e prezantimeve të komunitetit musliman në mediat e Britanisë ka qenë në fokus edhe të aktivistëve të tjerë, akademikëve dhe gazetarëve.

Në një event të mbajtur në Universitetin Hope në Liverpool në muajin korrik, njëri nga përfundimet e tij ishte se politikanët në Mbretërinë e Bashkuar do të duhet të vënë në konsideratë një rregullativë ligjore me të cilën do të luftohet mbulimi negativ mediatik që u bëhet muslimanëve në Britani.

Duke iu referuar një opinioni të publikuar më 13 gusht nga kolumnisti i gazetës The Sun, Trevor Kavanagh që më vonë ngjalli një reagim zyrtar nga grupet hebrenje dhe muslimane, Versi tha: “Të flasësh për muslimanët me fjalor të njëjtë siç flisnin nazistët për hebrenjtë, është vërtetë shumë shqetësuese”.

Versi tha se po kërkonte fonde për të institucionalizuar punën e tij, duke krijuar “një ekip njerëzish që mund të shohin çdo artikull mbi këto çështje”.

Sidoqoftë, sjelljet e këtilla siç duket sa vijnë e forcohen. Një sondazh i publikuar të hënën nga “Arab News”, një gazetë arabe në Mbretërinë e Bashkuar flet se shumica e të anketuarve kanë favorizuar profilizimin racor.

“Diskriminimi kundër muslimanëve në Evropë është bërë një përvojë e përsëritur”, tha Bashkimi Evropian të enjten e kaluar.

Një raport i Agjencisë së Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore zbuloi se ndonëse 76 përqind e muslimanëve ndjenin një lidhje të fortë me vendin ku ata banonin, një pjesë e konsiderueshme ndjehej e diskriminuar.

Shtëtëmbëdhjetë për qind e personave të anketuar kanë thënë se ndjehen të diskriminuar kundrejt grupeve të tjera nga shkaku i religjionit të tyre.

Share Button