Plazhet më të pastra në Shqipëri, njihuni me to para se t’i bëni pushimet

“Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka bërë një monitorim kampionimi në 102 pika përgjatë vijës bregdetare dhe ka realizuar monitorimin e ujërave larës në 20 plazhe. Nga analizat rezulton cilësi shumë e mirë në rreth 99 pika monitorimi pra mund të themi që plazhi mirëpret me një cilësi shumë të mirë uji të gjithë pushuesit”, u shpreh Beqiri.

Duke u ndalur në rezultatet e monitorimit të parë të këtij viti, kreu i AKM-së theksoi se ndërsa kemi një cilësi shumë të mirë të ujërave larës, pastërtia e rërës lë shumë për të dëshiruar.

“Gjatë monitorimit kemi vënë re se kemi problematika përsa i përket jo cilësisë së ujit por cilësisë së rërës. Mungojnë koshat për hedhjen e mbeturinave, mungon informacioni që mund t’u jepet nga pushteti lokal pushuesve me tabela ku të jepen të dhëna për cilësinë e plazheve, pasi është mirë që informacioni të ndahet me qytetarët. Pushteti lokal është ende shumë larg punës që duhet të bëjë,për një mirëmenaxhim të duhur të plazheve”, tha Beqiri.

Në bazë rezultateve të fazës paraprake të cilësisë së ujërave larës për vitin 2017 rezulton se:

– Cilësia e ujërave larëse është shumë e mirë në plazhet e Divjakës, Velipojës, Tales, Shëngjinit, Gjiri të Lalzit, Golemit, Qerretit, Spillesë, Orikumit, Zvërnecit, Vlorës, Dhërmiut, Himarës, Qeparoit, Borshit, Ksamilit, Sarandë, Semanit, Durrësit dhe Palasës.

– Cilësia e ujërave larës është e mirë në 3 pika monitorimi, tek Shkolla e Marinës në Vlorë, tek Kanali i Çukës në Sarandë dhe tek Kompleksi Giardino në Durrës. Të treja këto pika një vit më parë kanë rezultuar me cilësi të keqe të ujërave.

– Cilësia e Ujërave larëse është përkeqësuar në 2 pika të plazhit të Durrësit, konkretisht në Plazhin Zhiron dhe Pas Kanalit tek Plepat ku në bazë të analizave të kampioneve të marra, ujërat larës kanë rezultuar me një cilësi të keqe.

Monitorimi paraprak i AKM-së për vitin 2017 është shtrirë në 102 pika nga 99 pika në vitin 2016 dhe 78 pika në vitin 2015 duke rritur në këtë mënyrë monitorimin gjatë gjithë vijës bregdetare. Në listën e plazheve të monitoruara për herë të parë është shtuar edhe Plazhi i Palasës me dy pika monitorimi të cilat kanë rezultuar të një cilësie shumë të mirë.

Të dhënat e fazës së parë të monitorimit të ujërave larës për këtë vit janë të publikuara në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit www.akm.gov.al. ku çdo qytetar mund të gjejë informacionin për plazhet krahasuar edhe me rezultatet e vitit 2016.

Share Button