Plagosin me thikë 26-vjeçarin, në pranga 2 vëllezër në Shkodër

Policia e Shkodrës ka vënë në pranga 2 vëllezër si autorë të plagosjes me thikë të një 26-vjeçari mbrëmjen e djeshme në Shkodër. Burime nga policia lokale bëjnë me dije se janë arrestuar shtetasit Gjergj Miftari, 32 vjeç dhe Gjovalin Miftari, 28 vjeç (vëllezër, të dy banues në fshatin Barbullush, Vau Dejës)

“Këta shtetas për motive të dobëta ju kanë dalë përpara në rrugë shtetasve E.Gj., 26 vjeç dhe A.G., 20 vjeç, të dy banues në fshatin Barbullush dhe dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë sulmuar me armë të ftohtë (thikë) dhe sende të forta, ku si pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi E.Gj., i cili ndodhet në spitalin rajonal Shkodër dhe po merr ndihmën e nevojshme mjekësore, kurse shtetasi A.G. ka pësuar vetëm dëmtime të lehta në fytyrë”, sqaron policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese të mbetur në tentativë” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta”.

Share Button