Pista të reja për vrasjen e dyfishtë në Fushë-Kuqe

Familja Keqi në Fushë- Kuqe të Kurbinit, ka hapur dyert e mortit pas tragjedisë së një dite më parë, ku nëna ekzekutoi vajzën e saj e më pas veten. Mësohet se ceremonitë mortore do të kryhen të dielën, në pritje edhe të djalit të familjes, i cili prej vitesh jeton në SHBA. Të afërm, miq dhe banorë të zonës e kanë të vështirë të besojnë atë që ka ndodhur, duke shprehur dhimbjen për dy viktimat Majlinda dhe Sara Keqi.Në Fushë Kuqe ka patur gjatë ditës edhe prezencë të madhe të forcave të policisë, ndërsa ende nuk ka një version të saktë se si ka ndodhur krimi dhe çfarë e shtyu 40-vjeçaren të qëllojë vajzën. Burime të pakonfirmuara, thonë se 15-vjeçarja kishte munguar në shkollë një ditë më parë me pretendimin se ishte e sëmurë. Por kur e ëma është kthyer nga punët e fushës në shtëpi, dyshohet se e ka gjetur në praninë e një djali, i cili është larguar me shpejtësi.Kjo ka ndezur zemëratën e saj e cila dyshohet se pas një debati të fortë me të bijën ka marrë armën dhe e ka qëllur brenda në shtëpi, duke e plagosur. Më pas të dyja kanë dalë në oborr ku gruaja pasi e ka qëlluar edhe njëherë 15-vjeçaren, ka vrarë edhe veten. Policia ka marrë në pyetje kryefamiljarin, mësuesit por edhe fqinjët e familjes, por ende nuk ka një version zyrtar të ngjarjes së rëndë.

Share Button