Pesë vite burg për miliarderin e Samsung

Lee Jae-yong, trashëgimtari i familjes themeluese të gjigantit koreano-jugor “Samsung”, është dënuar me 5 vite heqje lirie për korrupsion.

Rasti i tij ka mbërthyer opinionin publik në mesin e zemërimit në rritje ndaj kompanive më të mëdha të vendit të njohura si “Chaebols”.

Lee, që i mohon të gjitha akuzat, rrezikonte deri në 12 vite burgim. Kaq kishte kërkuar Prokuroria, ndërsa gjykata vendosi ta reduktojë në 5 vite. Miliarderi nuk do ta ndalë këtu betejën e vet gjyqësore.

“Si avokat nuk i pranoj dot argumentet ligjore, apo faktet e paraqitura. Do ta apelojmë vendimin menjëherë dhe jemi të bindur se do të arrijmë ta përmbysim”, tha Song Wu-cheol, avokat mbrojtës.

Akuzat ndaj 49-vjeçarit nisin nga mitdhënia, mashtrimi, e shkojnë deri te fshehja e aseteve jashtë kufijve. Lee përfundoi në bankën e të akuzuarve pas përfshirjes në skandalin që solli rrëzimin e më pas arrestimin e ish-presidentes së vendit, Park Geun-hye.

Numri dy i “Samsung Electronics” nuk e ka pranuar asnjëherë se është përpjekur të sigurojë favore politike.

Menaxheri i prangosur në muajin shkurt akuzohet se i ka premtuar, apo mbase edhe derdhur në llogari, 38.3 milionë dollarë mikeshës së ngushtë e më të besuar të Park, Choi Soon-sil, në këmbim të një vendimi të favorshëm për bashkimin e dy degëve të “Samsung”-ut. Bashkimi do të kishte lehtësuar rrugën e Lee për të marrë kontrollin e plotë të konglomeratit nga babai i tij.

Share Button