Pesë orë në rradhë për abone “studenti”. Palët u shmangen përgjegjësive

Çdo fund muaji i vë studentët përballë dilemës, “si të marrim një abone?!”. Edhe ky fund muaji nuk kishte asnjë ndryshim në problematikë. Një numër i madh studentësh është dashur që edhe këtë fund muaji të presin në rradhë pranë pikave të shitjes së aboneve. Të irrituar nga kjo situatë studentët shprehen, se ” kemi 5 orë që presim, nuk durohet kjo që po ndodh. Kemi ardhur për shkollë jo të humbim orët për t’u pajisur me atë që na takon!”. Përballë kësaj anomalie qëndron një realitet i hidhur, ata që kanë nuk kanë mundësi apo durim të presin, blejnë pak më tutje abone studenti nga fatorinot nën duar, por tashmë me një çmim po thuajse dyfish.

Por nuk është vetëm ky problemi që hasin studentët. Mungesa e vulave në abonetë e shitura nën dorë, por edhe në ato të shitura në pikat e caktuara, bën që ata të kthehen sërish për një vulë, por që askush nuk ua jep. Gjë që e nxjerr abonenë e tyre jashtë funksioni.

Të gjendur përballë këtij fakti të kryer, na u desh të kontaktonim që nga shitësit e aboneve, Bashkia dhe me Shoqatën Kombëtare të Transportit Qytetas (SHKTQ).

Ndonëse e kanë për detyrë të informojnë qytetarët në lidhje me këto problematika dhe shkaqet e tyre, secila palë shkarkon përgjegjësinë e tyre tek tjetri.

Shitësit e aboneve thanë se, “abonetë janë nxjerrë në shitje 2-3 ditë para datës 31”, por kjo deklaratë hidhet poshtë nga studentët, të cilët thanë se, “kemi ardhur prej 3 ditësh rrjesht, na zvarritin ejani sot ejani nesër… Këtë gjë e bëjnë sepse kërkojnë të përfitojnë nga rrëmuja e krijuar dhe rradhët, që të shesin nën dorë dhe më shtrenjt. Duhet bërë publike kjo që po ndodh.”

“Ka rradhë sepse ka shumë studentë”, ishte përgjigjia e shitësve të aboneve, të cilët për çdo pyetje që u drejtohej, kalonin përgjegjësinë për tek SHKTQ-ja dhe bashkia.

Nga ana e tyre, Shoqata e Transportit (SHKTQ), duke numëruar problemet e tyre në subvencionimin e pa bërë nga pushteti qendror dhe lokal si dhe investimet e kryera thonë se “Problemi për abonetë e studentit çalon, se nuk zbatohet ligji që është në fuqi. “1. Studentët e institucioneve publike e private të arsimit të lartë pajisen me kartën e studentit, e cila është dokument unik. Me anë të saj studentët përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara. 3. Përfitimet e studentëve nga përdorimi i kartës së studentit përballohen nga fondet e parashikuara në Buxhetin e Shtetit të ministrisë përkatëse që mbulon institucionin e arsimit të lartë.” thuhet në ligjin që u referohet kartave të studentit.

“Kur bëhej tregtimi i aboneve të studentit, ato nuk shkonin tek studenti, pra i merrnin të tjerë, qytetarë e jo student. Edhe kur u vendos rregulli për tregtimin e tyre, nga ana e studentëve është vënë re që bënin abuzime, pra me një kartë studenti, një student merrte dy dhe tre herë abone.”- thanë përfaqësues të shoqatës.

Sipas tyre, numri i aboneve që dalin në shitje është vendosur nga bashkia dhe janë 17 mijë të tilla.

Nga ana e tyre, Bashkia e Tiranës, prononcohet me një përgjigje shumë të shkurtër e të prerë, “është në kompetencat e shoqatës së transporteve”.

Duke parë këtë gjendje, studentëve si duket do t’u duhet përsëri edhe në muajt në vijim të përballen me të njëjtën situatë.
Rregullat e tregëtimit të abonesë “Studenti”

1. Studenti/tja duhet të paraqesë vërtetimin origjinal nga sekretaria e shkollës lartë publike, që është student/e për vitin akademik 2013-2014, njëkohësisht të sjelli dhe një fotokopje të vërtetimit.

2. Të dorzojë fotokopjen e vërtetimit.

3. Të dorzojë fotografine e tij.

4. Për marrjen e abonesë të paraqitet vetë studenti, i cili duhet të paraqesë dokumentin identifikues të tij.

5. Vërtetimi origjinal detyrimisht vuloset nga shitësi me vulën ku ka të shënuar muajin dhe vitin e tregtimit abonesë, në mënyrë që studenti të ketë të drejtë të marri vetëm një abone në pikat e shitjes.

 

/Bekim Bici/

Share Button