Ashpërsohen marrëdhëniet midis Turqisë dhe Holandës, Erdogan: Do vuani pasojat

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka mbajtur sot një fjalim në sallën e Kongreseve Haliç në Stamboll, ku organizohet ceremonia ndërkombëtare e ndarjes së çmimeve të mirësisë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Del një person dhe çfarë thotë? Turqit të lënë këtë vend. Nuk do të ikin. Ata tashmë janë qytetarë të atij vendi dhe nuk do të largohen. Kjo gjë do të zgjerohet dhe do të zhvillohet. Për këtë veprim do të paguajnë në çdo formë. Na falni por do të paguajnë dhe do të mësojnë se çfarë është diplomacia. Do të mësojnë gjithashtu se çfarë është diplomacia ndërkombëtare”, është shprehur Presidenti Erdoğan dhe më pas ka shtuar se ngjarjet e ndodhur ditët e fundit janë përfundim i një zhvillimi islamofobik. “Bota perëndimore në ditët e fundit ka treguar hapur fytyrën e saj të vërtetë”, tha ai.
Duke vënë në dukje se ditën e mërkurë në Holandë ka zgjedhje parlamentare, Presidenti Erdoğan ka shtuar: “Nëse ju sakrifikoni marrëdhëniet turko-holandeze, do të paguani për këtë. Ne do të vlerësojmë hapat që do të hedhim para dhe pas zgjedhjeve të Holandës dhe do të dalim në konkluzionin se si do të veprojmë. Sepse kjo nuk mund të mbetet pa përgjigje”.
“Ku je Bashkimi Evropian?”
Duke iu drejtuar Bashkimit Evropian, Presidenti Erdoğan tha: “Evropa po shkon drejt racizmit. Çfarë do të thotë racizëm? Çfarë është kjo ndarje, ky tjetërsim? Ku je Bashkimi Evropian? Dhe pastaj mërziten kur Erdoğani iu drejtohet atyre me deklarata. Patjetër që do të mërzitesh”.
“Unë mendoja që nazizmi ka marrë fund, por qenkam mashtruar”, tha Erdoğan dhe më pas shtoi:
“Kur nisën ngjarjet unë thash që ky është një presion fashist. Thashë që nazizmi erdhi përsëri. Madje shtova edhe këtë më pas. Sikurse e patë edhe ditën e djeshme, motrën tonë, ministren e Politikave Sociale dhe Familjes, Fatma Sayan nuk e lejuan të hyjë në Konsullatën e Turqisë në Rotterdam e cila ishte me makinë diplomatike. Si do t’ia shpjegojnë botës këtë veprim? Si do të thonë? Që nuk i ftuan ata? Nga doli kjo? Unë me pasaportën time mund të shkoj në çdo vend. Shkoj në kuadër të të drejtave të mia për lëvizjen ndërkombëtare të lirë. Mund të shkoj edhe si diplomat. Nga doli kjo drejtësi? Në kohën e nazizmit ishte shprehja ‘ajo që them unë është e drejtë dhe kë dua pranoj e kë dua nuk pranoj. Këta shkuan deri aty sa që bllokuan derën e konsullatës”.
“Falënderoj Francën”
Duke falënderuar Francën, Presidenti Erdoğan tha: “Franca nuk u përfshi fare me këto lojëra. Unë iu bëj thirrje qytetarëve tanë që jetojnë në këto rajone që të marrin komshinjtë e tyre dhe të vizitojnë Turqinë. T’u tregojnë atyre se sa mikpritës jemi. Unë besoj që ata do të shohin vlerat më të larta të një mikpritjeje të mirë dhe do të shohin nga afër botëkuptimin e Turqisë”.
Presidenti Erdoğan tha se veprimet e ditëve të fundit në Evropë nuk janë të papritura për ta dhe më pas shtoi: “Veprimet që shkojnë deri në hajdutëri janë vetëm një tregues se fashizmi, armiqësia ndaj Islamit dhe racizmi janë në rritje në Evropë. Unë i bëj thirrje qytetarëve tanë në Evropë. E di që na ndiqni nga ekranet tani. Mos harroni, qëndroni me kokën lart. Këto veprime negative janë të përkohshme. Sepse ajo gjë që këta hedhin sot në shesh, një ditë do të kthehet dhe do ti godasë vetë ata”.
Ai vuri në dukje se për sa kohë që Turqia forcohet, Evropa shtypet, Presidenti Erdoğan në vijim ka shtuar: “Do të shtypen akoma. Realisht këto do të goditen nga armët e tyre. Këta janë shumë gënjeshtarë. Të gjitha armët e të gjitha organizatave terroriste në Lindjen e Mesme nga këta vijnë dhe jo nga vende të tjera. Në duart e terroristëve ka armë të perëndimit. Çdo gjë është e dokumentuar dhe këta gënjejnë. Thonë që nuk është e vërtetë një gjë e tillë, por ja ku janë fotografitë, ja ku janë dokumentet. Terroristët shëtisin me uniformat e tyre. Kë mashtroni ju? Ne ju dimë mirë”.
“Dhimbja e fëmijëve në Halep nuk i preku zemrat me katran të Evropës”
Erdoğan në vijim të fjalës së tij tha se janë dëshmitarë që në disa vende kanë filluar gjuetinë e refugjatëve në mënyrë të armatosur. “Gjatë këtyre 6 viteve ku vazhdon shembja dhe vrasjet masive, për fat të keq institucionet ndërkombëtare që lëvrojnë miliarda kanë mbetur duke bërë sehir. Dhimbjet e fëmijëve nga Halepi dhe grave të cilët kërkonin doktorë duke dhënë frymën e fundit në karriget me rrota, nuk u dëgjuan nga evropianët. Dhimbjet e tyre nuk i prekën zemrat e vulosura të Evropës. Vëllezërit tanë sirianë të cilët hodhën veten e tyre në dallgët e detit duke rrezikuar jetën, kur arritën në brigje, u përballën me tela me gjemba dhe mure”.
“Perëndimorët nuk do të mund të pastrojnë të shkuarën e tyre të përdhosur me padrejtësi dhe gjak”
Duke vënë në dukje se referendumi i 16 prillit në Turqi do të jetë edhe njëherë dita kur do të prishen lojërat, Presidenti Erdoğan në vijim shtoi: “Le të bëjnë çfarë të duan perëndimorët, por të kaluarën e tyre të përdhosur me padrejtësi dhe gjak nuk do të mund ta pastrojnë. Ne do të vazhdojmë me krenari të ndjekim rrugën tonë për të bërë të pamundurën në shërbim të njerëzimit në Jemen, Irak dhe Siri. Ne do të vazhdojmë të shkojmë në Afrikë me kokën lart dhe pastërti, pa patur asnjë njollë në të shkuarën tonë, në Afrikën ku ata do të kujtohen gjithmonë vetëm me kolonizimin”.

Share Button