Përse ka kaq shumë dhunë?

Jo pak herë mëngjesi në vendin tonë fillon me tituj të mëdhenj të gazetave, ku në thelb kanë fjalën “dhunë”.
Mesa duket media nuk do të mbarojë ndonjëherë së publikuari lajme të tilla negative, që burojnë kudo dhe janë bërë pjesë e jetës. Dhuna si fillim fshihet pas mureve të shtëpisë, vazhdon në rrugë, gjendet diku edhe në bankat e shkollës, në punë, madje dhe më tej. Nga njëra anë, ngjarjet me përmbajtje dhune janë ato që klikohen më së shumti nëpër portale. Duket sikur kjo shoqëri është e etur për pamje të tilla që realisht janë të frikshme. Nga ana tjetër modelet e dhunës kritikohen më shumë nëpër media, e cila përmes emisioneve sensibilizuese dhe analizave, përpiqet të ndërgjegjësojë publikun. Megjithatë, vrasja, lëndimi, kërcenimi apo ofendimi ende vazhdon të jetë pothuaj zgjidhja e parë në raste konfliktesh.

Ndaj ja vlen të ndalemi dhe të shqyrtojmë se përse ka kaq shumë dhunë?

Së pari, në dhunë mund të përfshihet ndonjëherë ai individ i cili në rutinën e tij ditore, angazhimet i ka të shumta dhe jo organizative. Vetë qyteti e bën jetën stresuese që në zgjimin çdo ditë me orarin fiks duke vrapuar për punë. Pastaj vjen momenti i lëvizjes me urban dhe prekja e panevojshme me të huajt. Ndër të tjera janë dhe problemet në punë me shefin, kontrata e pafirmosur apo që nuk zbatohet ndonjëherë. Po ashtu ekziston frika se nesër puna është e pasigurt. Shtohet edhe mundimi për të menaxhuar paratë çdo fillim dhe mbarim muaji. Pa përmendur edhe mundësinë e të mbeturit i papunë dhe të lëvizësh kuturu. Të gjitha këto veprime krijojnë mendje dhunuese. Dhunuese ndaj vetes si fillim sepse vetë stresi dhunon zemrën, lodh trurin dhe vret dëshirën për të jetuar. Madje këta persona shpesh herë të frustruar brenda këmishës zyrtare mund të gjejnë dhunën si çlirim të brendshëm. Besoj se ketij grupi njerëzish mund t’i ketë ndodhur të nevrikosen aq sa të donin të përplasnin diçka në tokë, ta ndjenin tek zhurmonte dhe të shfrynin dufin negativ. E gjithë kjo zgjat vetëm për disa minuta, por kjo kohë mund të bëhet e përjetshme nëse në vend që të vetëpërbahen, dhunojnë dikë. Një shuplake ndaj dikujt do të thotë të hysh në një të ardhme me dhunë sado e lehtë apo e vogël qoftë. Personi që pësoi dhunimin, diku do të dhunojë sërisht. Funksionon tamam si një zinxhir i vazhdueshëm.
Së dyti dhuna gjendet tek ata persona të cilët autoritetin e tyre e vendosin vetëm përmes kërcënimit dhe arogancës. Arsyet për këtë sjellje gjendet që në vogëli, ku rritja e tyre ka qenë bashkëshoqëruese me ngritjen e zërit, forcimit, apo elementeve të tjera të dhunës verbale apo joverbale. Edhe pasi bëhen maxhorenë, këta individ kanë tendencë të krijojnë frymë negative kudo që janë dhe nxisin dhunën edhe tek të tjerët. Në media këta persona i gjen në tituj të parë si shkaktarët e kronikave të zeza. Ata bëhen abuzues me prindërit, gruan apo fëmijëve.
Së treti dhuna ka karakter gjinor. Në të shumtën e rasteve mund të ndodhi që janë burrat autorët kryesor të krimeve, por nuk përjashtohen edhe një numër i vogël i grave. Ky fenomen shpjegohet me arsyetimin se djemtë ushqehen me idenë e të pasurit pavarësi me çdo kusht ku dhe dhuna nuk bën përjashtim. Ndërsa vajzat edukohen që në vogëli për të qenë të përmbajtura dhe të qeta. Në vijim të kësaj forme edukimi, diferencimet gjinore do jenë ende ekzistente. Si pasojë, në familje krijohet autoriteti absolut i burrit, i cili vendos për gjithçka dhe madje mund të dhunojë atë që nuk i bindet. Në lidhje me këtë situatë nuk mund të bëhet shumë, pasi shqiptarët priren ta konsiderojnë dhunën në familje si një çështje private, familjare, dhe si një pjesë normale të jetës bashkëshortore. Duke qenë se dhuna në familje shpesh ndodh pas dyerve të mbyllura dhe nuk diskutohet, pranohet apo trajtohet hapur, viktimat përgjithësisht vuajnë në heshtje. Kryesisht pas vitit 2007 ka patur përpjekje të vazhdueshme si nga institucione shtetërore dhe organizata për zbatimin e strategjive kundra dhunës, por rezultatet janë të ngadalta edhe sot. Pozitive nga e gjitha kjo ishte rritja e numrit të padive penale për urdhër mbrojtje nga 0 që ishte në vitin 2005 në 1562 udhër mbrojtje në vitin 2011 (INSTAT). Madje nga një vrojtim që është bërë gjatë një studimi disa vjeçar (INSTAT dhe UNDP) rezulton se 58,2% e grave kanë përjetuar dhunë psikologjike në martesë marrëdhënien e tyre intime “gjatë jetës”, dhe 52,8% e grave po përjetonin dhunë psikologjike “aktualisht”.
Kur do mbarojë dhuna?
Dhuna nuk mund të këtë kurrë fund sepse ajo ka forma të ndryshme. Edhe dhuna psikologjike dëmton së tepërmi. Imagjinoni një shembull më të thjeshtë: Një fëmijë që e rrisin gjatë gjithë kohës me idenë se ai nuk di, nuk mundet apo i thonë qullash gjatë gjithë kohës do të thotë që ai rritet në mjedis negativ dhe jo inkurajues. Kjo dhunë psikologjike ka vrarë të ardhmen e tij. Ndaj dhuna mund të fshihet apo dhe lulëzon pa e kuptuar. Madje shpesh na qellon të dhunojmë edhe veten me dëshirën për të patur më tepër, për të fituar më shumë para, për t’ja kaluar fqinjit, për t’ja hedhur shokut.
Fatmirësisht me kalimin e kohës diçka kemi kuptuar, që dhuna duhet dënuar! Nuk është edukator i mirë ai që ofendon. Nuk është shok i duhur ai që grushton. Nuk jetohet me bashkëshort që ushtron forcë fizike për çfarë do lloj arsye. Me rëndësi është të dihet se as prindit nuk i falet dhuna ndaj fëmijës së tij. Prindërit janë ata që kanë rolin më të madh dhe vendimtar. Nuk quhet prind vetëm ai që lind fëmijë dhe më pas pret ta edukojë shkolla dhe rruga. Përpara ndodhet një rrugë e gjatë edukimi dhe disiplinimi.
Ka me qindra arsye pse jemi shoqëri dhunuese, ndoshta dhe pak shpresa për ta zhdukur atë. Të paktën ta zbusim dhunën duke menduar të paktën për të ardhmen e brezit të ri.

Marsida Simo

Share Button