Përmirësohet shëndeti i Schumacher

Ish-kampioni i botës në Formula 1, Michael Schumacher ka treguar “shenja vetëdijësimi” pas muajsh të tërë të kaluar në gjendje kome.
Lajmin e ka bërë të ditur agjentja e tij Sabine Kehm, në një deklaratë për shtyp, ku ndër të tjera thotë: “Kampioni po bën progres. Ne mbetemi optimistë”.

Mjekët në Francë kanë punuar intensivisht për ta nxjerrë shtatë herë kampionin e botës nga koma mjekësore ku ishte futur. 45-vjeçari gjerman pësoi një dëmtim të rëndë në kokë teksa bënte ski në Alpet franceze, 29 dhjetorin e vitit të kaluar. “Ne jemi përkrah tij në këtë betejë të gjatë e të vështirë, bashkë me grupin e mjekëve në spitalin e Grenoblës”, tha Kehm në deklaratën për shtyp. “Ne do të donim t’ju falenderonim për të gjithë mbështetjen tuaj të vazhdueshme dhe në të njëjtën kohë kërkojmë mirëkuptim për faktin se nuk mund të japim detaje”, vijon deklarata. Muajin e kaluar familjarët e Schumacher thanë se ai kishte treguar “shenja të vogla inkurajuese”. Ndërsa hetuesit që kanë hetuar incidentin e tij thanë se Schumi po ecte me shpejtësinë e “një skiatori shumë të mirë” në momentin kur u përplas. Ai po bënte ski jashtë piste kur papritur u rrëzua dhe përplasi kokën me një shkëmb, thanë hetuesit, pasi analizuan pajisjet e pilotit dhe disa pamje filmike

Share Button