Përmbytjet, mblidhet me urgjencë Shtabi i Emergjencave në Tiranë

Situata e krijuar nga përmbytjet, ka mbledhur me urgjencë Shtabin e Emergjencave në Prefekturën e Tiranës.

Prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi theksoi se prioritet duhet të jetë jeta e qytetarëve dhe parandalimi i katastrofave. Ai kërkoi koordinimin e punës dhe rritjen e gatishmërisë, në mënyrë që të garantohet siguria e njerëzve dhe kalueshmëria rrugore.

Shtabi i Emergjencave në Tiranë është mbledhur sot për të dytën herë brenda kësaj jave.

Nga shirat e shumtë në Tiranë sot ka patur probleme në aksin Tiranë – Elbasan, ku ka një rrëshqitje masivi dheu. Aktualisht qarkullimi kryhet me vështirësi nën monitorimin e Policisë Rrugore.

Një urë e vogël që lidh ish-Uzinën ”Dinamo” me Paskuqanin është dëmtuar dhe është ndërprerë qarkullimi i automjeteve në këtë drejtim.

Ndërkaq në Bërzhitë ka një rrëshqitje toke, e cila rrezikonte 4 familje. Emergjencat kanë bërë evakuuimin e tyre dhe kanë nisur ndërhyrjen me mjete për normalizimin e situates.

 

Share Button