Përmbytet varka me muslimanë të Arakanit, disa të vdekur

Katër persona humbën jetën, 3 prej tyre fëmijë, si rezultat i përmbytjes së varkës e cila bartte muslimanët e Arakanit, të cilët përpiqeshin të iknin në Bangladesh nga persekutimi në Mianmar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas mediave të Bangladeshit, zyrtari lokal Md Mikaruzzaman ka bërë të ditur se një varkë ku ndodheshin muslimanët e Arakanit të cilët përpiqeshin të iknin nga Mianmari për në Bangladesh sot në orët e mëngjesit është përmbytur në gjirin e Bengalit.

Duke bërë të ditur se janë gjetur kufomat e 4 personave të cilët ndodheshin në varkë, Mikaruzzaman njoftoi se zyrtarët policorë, të sigurisë bregdetare, të zjarrfikësve dhe ata lokalë kanë shpëtuar 23 pasagjerë të tjerë të varkës.

Në një deklaratë nga rrjetet sociale të Zyres së Organizatës Ndërkombëtare për Migrim në Bangladesh, njoftohet se 3 prej 4 personave që humbën jetën në këtë fatkeqësi janë fëmijë.

Varkët e muslimanëve të Arakanit me të cilat po përpiqen të ikin në Bangladesh nëpërmjet lumit Naf ose Gjirit të Bengalit, shpesh po përmbyten për shkak të kushteve të vështira atmosferike apo mbushjes së varkëve me njerëz mbi kapacitetin që ka.

– Spastrimi etnik i muslimanëve të Arakanit

Ndryshe, mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare.

Gjatë sulmeve të fundit të ushtrisë dhe budistëve radikalë janë djegur ose shkatërruar afër 300 fshatra, kurse mbi 600 mijë muslimanë të Arakanit kanë ikur në Bangladesh përmes detit, lumit Naf dhe zonave malore. Ndërkaq, dhjetëra mijëra persona të tjerë janë në kërkim të rrugëve për të ikur në Bangladesh.

Gjatë viteve 1970-ta mendohet se në Arakan jetonin rreth 2 milionë muslimanë. Ky numër për shkak të ikjeve nga sulmet sistematike ka rënë në nën 200 mijë.

Share Button