Përkeqësohet gjendja shëndetësore e palestinezëve të burgosur

Gjendja shëndëtësore e të burgosurve palestinezë që po mbajnë grevë urie në Burgun Eshel në veri të Izraelit është “serioze”, ka paralajmëruar avokati Jusuf Nasasara, raporton Anadolu Agency (AA).

“Gjendja shëndetësore e palestinezëve në grevë urie në Burgun Eshel është serioze dhe shqetësuese. Tensioni i shumicës prej tyre është shumë i ulët. Krahas kësaj, ata kanë humbur shumë peshë”, citohet të ketë thënë Nasasara në një deklaratë me shkrim nga Komiteti Mediatik për Ndjekjen e Grevës së Urisë së të Burgosurve Palestinezë.

Nasasara ka thënë se gjendja e shumicës së palestinezëve në grevë shoqërohet me të vjella dhe derdhje gjaku gjatë urinimit si dhe sëmundje të ndryshme të lëkurës të shkaktuara nga mungesa e vitaminave.

Ndryshe, mbi 1.500 palestinezë në burgjet izraelite filluan grevë urie më 17 prill “për të kërkuar t’i jepet fund praktikave arbitrare të Izraelit dhe të përmirësohen kushtet e burgimit”.

Përmes grevës së urisë, të burgosurit palestinezë përiqen “të ushtrojnë presion ndaj qeverisë izraelite dhe që zëri i tyre të dëgjohet nga bota”.

Greva kryesohet nga Mervan Berguthi, anëtar i Këshillit Qendror të Lëvizjes Fatah, i cili gjendet i burgosur prej 15 vitesh, ndërsa ka fituar mbështetje edhe nga Hamasi, Lëvizja Xhihadi Islam dhe lëvizjet e tjera të rezistencës palestineze.

Sipas një raporti të disa institucioneve, përfshirë edhe Komitetin e të Burgosurve Palestinezë, në burgjet izraelite gjenden rreth shtatë mijë të burgosur palestinezë, përfshirë 481 nga Jerusalemi Lindor i okupuar, prej të cilëve 57 janë gra dhe 300 fëmijë.

Share Button