Perëndimi paralajmëron Moskën

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s,  Anders Fogh Rasmussen paralajmëroi Rusinë se në rast të një ndërhyrjeve të mëtejshme në Ukrainë, do të bënte një gabim historik me pasoja të rënda për marrëdhëniet e saj me Aleancën e që do të krijonte izolim ndërkombëtar për Moskën. Rusët e mohojnë me forcë se kanë orkestruar paqëndrueshmërinë dhe ndjenjat separatiste në zemrën industriale të Ukrainës, siç është Donjecku.
Në një artikull në shërbimin online të gazetës britanike,  The Guardian, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov dënoi atë që e quajti përshkallëzim pa baza të tensionit. Ai tha se Perëndimi duhet të mbajë fajin për atë që po ndodh, pasi u përpoq të detyrojë Ukrainën të zgjedhë mes Lindjes dhe Perëndimit.
Ai paralajmëroi gjithashtu autoritetet në Kiev të mos përdorin forcën ndaj protestuesve.
Bëhet fjalë për një luftë fjalësh midis Rusisë dhe Perëndimit, thonë korrespondentët. Por, mes retorikës, ka ende shenja të diplomacisë në veprim. Zyrtarë të lartë nga Shtetet e Bashkuara, Rusia, Ukraina dhe Bashkimi Europian pritet të takohen brenda 10 ditësh në një përpjekje për të ulur tensionin.
Korrespondentët thonë se edhe pse ngjarjet në Donjeck kanë ngjashmëri me ato në Krime, situata ka mjaft ndryshime. Donjecku edhe pse me mazhorancë rusishtfolëse ka një numër të madh banorësh ukrainas, dhe sondazhet atje tregojnë mbështetje për unitet me Kievin. Ukraina lindore ka qenë bastion politik i ish-presidentit Yanukovych, protestat ndaj të cilit nisën së pari trazirat që sollën aneksimin e Krimesë nga Moska dhe skenarë për federalizimin e vendit.

Share Button