Përdorimi i tepërt i kripës shkakton probleme shëndetësore

Kripa nuk është e shëndetshme për sistemin tonë kardiovaskular. Nuk bëhet fjalë që ky ushqim të eliminohet plotësisht, por thjesht të mos kalohet masa në përdorimin e tij, pasi kripa ndikon negativisht në shumë sëmundje dhe jo vetëm të sistemit kardiovaskular. Specialistët mendojnë se duke reduktuar të paktën gjysmën e konsumit ditor të kripës, shëndeti ynë do të ketë përmirësime të krahasueshme me lënien e duhanit.

Sa kripë duhet konsumuar?

Rreth 10 vjet më parë, Organizata Ndërkombëtare e Shëndetësisë përcaktoi sasinë prej 6 gramësh si kufirin maksimal të konsumit ditor të kripës, një shifër kjo shumë më e ulët se mesatarja botërore që shkon nga 10 deri në 12 gramë. Pra, e kalojmë shumë masën në përdorimin e kripës. Rreth 80% e saj vjen nga produktet e konservuara apo të gatshme.

Përdorimi i kripës gjatë përgatitjes apo konsumit të ushqimit është e panevojshme. Kripa filloi të përdoret për konservimin e ushqimeve për një kohë më të gjatë, por me sistemet moderne të konservimit, përdorimi i kripës për konservim nuk është i nevojshëm dhe aktualisht ajo përdoret thjesht për t’u dhënë ushqimeve më shumë shije.

Kripa ndikon në rritjen e tensionit

Njëri nga efektet kryesore të kripës është rritja e tensionit arterial. Kjo ndodh pasi kripa ndikon në mbajtjen e lëngjeve nga organizmi, gjë që shkakton presion në arterie dhe ndihmon në shfaqjen e hipertensionit, gjë që nuk duhet parë si një problem i parëndësishëm, pasi hipertensioni shkakton 62 % të problemeve kardiovaskulare dhe 42 % të sëmundjeve të zemrës.

Studime të shumta

Nga një studim amerikan i kohëve të fundit realizuar me persona në moshë mbi 35 vjeç, rezulton se reduktimi dietetikë i përdorimit të kripës prej 3 gramësh në ditë ul në SHBA numrin vjetor të sëmundjeve kardiovaskulare nga 60 000 deri në 120 000 raste, të iktuseve nga 32 000 deri në 66 000, të infarktit të miokardit nga 54 000 deri në 99 000…

Fushata kundër përdorimit të tepruar të kripës

Disa vende kanë zhvilluar fushata për reduktimin e konsumit të kripës, si p.sh. Finlanda ku në vitet ’70, filloi një fushatë ndërgjegjësuese për reduktimin e përdorimit të kripës nga 12 në 9 gramë në ditë. Falë kësaj mase, u arrit një ulje nga 75 deri në 80% të sëmundjeve koronare të zemrës dhe problemeve kardiovaskulare, gjë që ndikoi në zgjatjen e jetëgjatësisë nga 5 deri në 6 vjet.

Share Button