Përcillet me nderime leksikografi Hasan Çipuri, autori që la pas 32 fjalorë gjuhe

Dje me datë 29.09.2017 u perhap kumti i ndarjes nga jeta të një personaliteti, që me punën dhe urtësine e tij të impononte respekt të pakufishem.  Gjithnjë i qetë, i qeshur, modest, që linte punën e vet të fliste për gjithçka. Ndër të rrallët njerëz që nuk i pëlqenin lëvdatat, por donte gjithnjë sugjerime a kritika për projektet që merrte nëpër duar.  Në moshën 82-vjeçare profesori i nderuar Hasan Çipuri mbylli sytë pergjithmone, por pas la nje emër të ndritur dhe mijëra faqe te shkruara e dhjetëra libra te botuara. Titani i punës së palodhur në fushën e leksikografisë, qe e dashuroi dhe interpretoi prejardhjen e kuptimin e fjalëve deri ne ditet e fundit te jetes se vet në këtë botë.

Ai ka qenë shef i sektorit të Terminologjisë dhe Enciklopedisë Ushtarake, njëherazi pedagog i gjuhës serbo-kroate në Akademinë e Mbrojtjes dhe në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Duke qenë njohës i pesë gjuhëve të huaja, kontributi i tij është i madh në fushën e linguistikës.

Profesor Çipuri është autor dhe bashkautor dhe drejtues shkencor i 32 fjalorëve, mes të cilëve fjalori shqip-serbisht, 12 librave historikë dhe ushtarakë si dhe buletinëve e teksteve mësimore. Prof. dr. Hasan Çipuri, për punën e tij të palodhur dhe kontributin e madh në shumë fusha, ka fituar 8 urdhëra e medalje shërbimi dhe veprimtarie shkencore nga institucionet e Kuvendit dhe Presidentit të Republikës.

Prej shumë vitesh profesor Çipuri ka qenë anëtar i Bordit Drejtues të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam, duke dhënë një kontribut të vyer me idetë, përvojën dhe përgatitjen akademike të ofruar.

Gjithashtu, ai është nderuar me shumë tituj nderi në Evropë e Amerikë, mes të cilave Medalja Botërore e Lirisë dhe Medalja e Ambasadorëve Ndërkombëtarë, dorëzuar nga Instituti Biografik Amerikan.

Profesor Çipuri do të kujtohet gjithnjë si një intelektual i shquar, një bashkëpunëtor i zoti dhe njeri me merita të veçanta.

mbledhje-h-cipuri

Share Button